Xhamat e thyer të Shkollës “7 shtatori” në Abri të Epërme të Drenasit, e mbyllur nga viti 2018. FOTO: Ibrahim Berisha/REL.

Të braktisura e të dëmtuara - pamjet e shkollave të mbyllura nëpër Kosovë

Dhjetëra shkolla në Kosovë, kryesisht në zona rurale, janë mbyllur viteve të fundit, për shkak të numrit të vogël të nxënësve. Objektet dikur të mbushura me nxënës, tani janë pamje e trishtë për banorët e atyre zonave.

Në një pasdite shtatori, Sebahate Sejdiu nga fshati Gurëz i Ferizajt po shihte nga rruga kryesore, në pritje të një autobusi për fëmijë.

Sebahatja ka katër fëmijë që ndjekin mësimin në Shkollën Fillore “Besim Rexhepi” në fshatin Komogllavë, rreth katër kilometra larg.

Për 30-vjeçaren, ky është shtatori i parë që fëmijët i duhet t’i nisë me autobus për në shkollë.

Deri në këtë vit shkollor, ata i ndoqën mësimet në shkollën gati ngjitur me shtëpinë e tyre, që shërbente si paralele e ndarë e Shkollës “Besim Rexhepi”.

Kjo shkollë u mbyll sivjet, për shkak se kishte mbetur me vetëm 11 nxënës.

“Kemi pasur mbledhje, na kanë thënë që mbyllet. Edhe pse fëmijët nuk kanë dashur të mbyllet, kanë pasur dëshirë [të mësojnë] këtu, por çfarë të bëjmë…”, thotë Sebahatja për Radion Evropa e Lirë.

Shkolla “Besim Rexhepi” në fshatin Gurëz në Ferizaj [paralele e ndarë], e mbyllur për shkak të mungesës së nxënësve. FOTO: Ibrahim Berisha/REL.
Në Komunën e Ferizajt thonë se po përballen me rënie drastike të numrit të nxënësve.

“Në disa shkolla, kryesisht nëpër fshatra, numri i nxënësve në dekadën e fundit ka rënë nga 50 deri në 70 për qind”, thotë komuna për Radion Evropa e Lirë, duke paralajmëruar se edhe shkolla të tjera rrezikojnë mbylljen.

Përveç Ferizajt, statistikat tregojnë se numri i nxënësve është në rënie të vazhdueshme në të gjithë Kosovën në vitet e fundit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, numri i nxënësve në të gjitha nivelet e arsimit publik në vitin shkollor 2022/23 është rreth 300 mijë, në krahasim me tre vjet më parë kur ishte mbi 318 mijë.

Migrimi e rënia e natalitetit janë shkaktarët më të mëdhenj të uljes së këtij numri, thonë institucionet.
Zonat rurale, veçanërisht, po preken edhe nga migrimi i brendshëm i banorëve për në qytet.

Sipas të dhënave që ka grumbulluar Radio Evropa e Lirë nga një pjesë e komunave të Kosovës, të paktën 40 objekte shkollore janë mbyllur në 10 vjetët e fundit në nivel vendi.

Shumica e shkollave të mbyllura janë ato që quhen paralele të ndara të shkollave amë.

Sipas legjislacionit në Kosovë, një shkollë e caktuar mund të ketë edhe paralele, përkatësisht objekt tjetër shkollor në një lokacion tjetër, por se ndajnë udhëheqësinë e njëjtë.

Paralelet mund të themelohen kur nxënësit e një lokacioni kanë largësi mbi 4 kilometra nga shkolla amë dhe kur në atë lokacion janë më së paku 20 nxënës.

Një klasë e braktisur nga Shkolla “Naim Frashëri” në Kotlinë të Kaçanikut. FOTO: Ibrahim Berisha/REL.

Librat, fletoret e shkrimet në tabelat mësimore kanë mbetur si të ngrira në kohë në fshatin malor të quajtur Kotlinë, në komunën e Kaçanikut.

Edhe atje, këtë vit, shkolla i mbylli dyert.

Shkollës, e cila ishte themeluar mbi 70 vjet më parë, sivjet i mbetën vetëm tre nxënës.

Nezir Kuqi, ish-drejtor i kësaj shkolle, thotë se mbyllja e këtij objekti ishte emocionale për të, meqë aty kishte mbajtur mësim dhe kishte zhvilluar karrierën.

Megjithatë, thekson ai, mësimi me pak nxënës në klasë apo klasa të kombinuara nuk është cilësor.

Pamje nga njëri prej dy objekteve ku funksiononte Shkolla “Naim Frashëri” në Kotlinë të Kaçanikut. FOTO: Ibrahim Berisha/REL.

“Komunikimi [i mbylljes së shkollës] te nxënësit ka qenë i dhimbshëm. Por, e kanë kuptuar edhe nxënësit vetë, sepse me kalimin e kohës vetvetiu i kuptojnë gjërat, që diçka po vjen kah fundi dhe është diçka që nuk mund ta ndalosh”, thotë Kuqi.

Në Komunën e Kaçanikut thonë për Radion Evropa e Lirë se përveç shkollës në Kotlinë, në dhjetë vjetët e fundit i kanë mbyllur edhe gjashtë objekte tjera shkollore nëpër fshatra.

Shkolla paralele e ndarë “Ndre Mjeda” në fshatin Debëlldeh në Viti, e mbyllur për shkak të mungesës së nxënësve. FOTO: Ibrahim Berisha/REL.

Rreth 30 kilometra larg Kaçanikut, në komunën fqinje të Vitisë shtrihet një fshat malor e turistik, i quajtur Debëlldeh.

Në vitet e fundit ky fshat ka pasur zhvillim infrastrukturor me ndërtesa të reja të restoranteve e vilave për turistë.

Megjithatë, për shkak të shpërnguljes së banorëve dhe rrjedhimisht nxënësve të fshatit, shkolla, e ndërtuar në maje të një kodre, u mbyll vitin e kaluar.

Komuna e Vitisë nuk ka bërë të ditur se kur ishte hapur kjo shkollë, por, sipas të dhënave publike, në vitin 2021 shkolla i ka pasur 15 nxënës.

Përveçse qëndrojnë të pashfrytëzuara, disa shkolla të mbyllura në vitet e fundit edhe janë dëmtuar.

Xhamat e thyer të Shkollës “7 shtatori” në Abri të Epërme të Drenasit, e mbyllur nga viti 2018. FOTO: Ibrahim Berisha/REL.

Në fshatin Abri e Epërme të Drenasit, shkolla paralele e ndarë “7 shtatori” qëndron e mbyllur që nga viti 2018.

Objektit i janë thyer dritaret dhe brendësia e tij është mbushur me mbeturina.

Kjo është një nga tri shkollat që Komuna e Drenasit i ka mbyllur në katër vjetët e fundit, për shkak të numrit të vogël të nxënësve.

Shkolla paralele e ndarë “Rilindja” në Godanc të Drenasit, e mbyllur më 2018. FOTO: Ibrahim Berisha/REL.

Sipas komunës, kjo zonë vazhdon të përballet me numër të vogël të nxënësve.

Aktualisht, atje janë në funksion edhe tri shkolla të tjera me numër të vogël të nxënësve, për të cilat ende nuk është vendosur nëse do të mbyllen.

Ministria e Arsimit e Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë vitit të kaluar ka bërë një analizë lidhur me numrin e vogël të nxënësve.

“Këtë analizë e kemi diskutuar me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe iu kemi paraqitur gjendjen aktuale. Në analizë janë paraqitur edhe hapat që duhet të ndërmerren nga komunat”, thotë Ministria, pa specifikuar më shumë.

Dryni i vendosur në derën e një shkolle të mbyllur në Kosovë. FOTO: Ibrahim Berisha/REL.

Sipas Rinor Qehajës, njohës i fushës së arsimit dhe udhëheqës i Institutit “Edguard” në Kosovë, rënia e numrit të nxënësve nuk është befasuese.

“Ajo çfarë është befasuese, është mosreagimi institucional për të adaptuar politika dhe investime në arsim karshi numrit në rënie të nxënësve”, thotë Qehaja.

Sipas tij, duhet bërë një analizë në lidhje me numrin e nxënësve për metër katror në zona të ndryshme dhe me trendet e lëvizjes së popullatës, para se të merren vendime për hapje apo mbyllje të shkollave.

Shkolla paralele e ndarë “Naum Veqilharxhi” në Vërshec të Suharekës. FOTO: Ibrahim Berisha/REL.

Buzë kodrës dhe me pamje nga malet e gjelbëruara, qëndron e mbyllur edhe shkolla në fshatin Vërshec të Suharekës.

Deri vonë, në të mësonin më pak se 20 nxënës.

Por, disa nga banorët e fshatit e kujtojnë kur shkolla kishte më shumë gjallëri se kaq.

“Unë kujtimet si nxënës i kam të mira”, thotë Euron Daka, tani 21 vjeç.

Euroni ka kryer shkollën fillore në objektin që tani është mbyllur, për shkak të mungesës së nxënësve.

Në kohën e tij si nxënës, ai kujton të ketë pasur më shumë shokë e shoqe që mësonin bashkë në shkollë.

“Tani që është mbyllur, është keq. Normalisht, ndihem keq jo vetëm unë, por i gjithë fshati”, thotë i riu, i cili, megjithatë, mendon se klasat me shumë pak nxënës nuk e bëjnë mësimnxënien të kënaqshme.
Komuna e Suharekës, në 10 vjetët e fundit, i ka mbyllur pesë objekte shkollore, për shkak të mungesës së nxënësve./REL.