Burrat Opozitarë Kërkojnë Përkrahjen e Grave në Protestë

Tri subjektet opozitare, Vetëvendosja, AAK dhe NISMA, kanë mbajtur sot një tubim me gratë e vendit ku kërkuan pjesëmarrjen e tyre në protestën e nesërme.

Ata kanë pohuar se kanë arritur që të ndryshojnë pikëpamjen për gruan nga sallat e Kuvendit të Kosovës.

Sipas Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri dikur burrat kanë qenë të fortit dhe guximtarët mirëpo një gjë e tillë ka ndryshuar në Kuvend ku “Isa e Hashimi ikshin si pula prej Donikës, Albulenës, Besës, Aidës, Times, Teutës”.

“Deputetet e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga subjektet e opozitës se bashkuar e keni pa që nuk mbeten mbrapa deputetëve madje nuk ishin as në krah me ta, ishin para tyre, ne nuk i drejtuam ato por i ndoqëm”, tha ai.

Opozita do të dalë nesër sërish në sheshin e Prishtinës në orën 14:00 për t’i kundërshtuar marrëveshjet me Serbinë dhe malin e Zi të nënshkruara nga qeveria e Kosovës vitin e kaluar dhe për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë.

Sipas Kryetari të AAK-së, Ramush Haradinaj femra është ajo që ka më së shumti vështirësi në Kosovë e sidomos në punësim kurse për protestën tha se ajo do te jetë paqësore.

“Protesta është paqësore, unë mendoj që pushteti po i humb nervat. Rasti i arrestimeve flet direkt se pushteti i ka humbur nervat pushteti e ka marrë vesh se protesta e nesërme do të jetë më e madhja që ka ndodh najherë dhe do të jetë aq e fuqishme saqë vërtetë nuk mundet me i ik askush vendimit te nesërm”, tha Haradinaj.

Sipas Kryetarit të NISMA-s, Fatmir Limaj, institucionet e Kosovës janë në gjendje të pranojnë çdo gjë “vetëm që të mos i preket karrika”.

“Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kosova ka një regjim antikushtetues dhe kudo në botë regjimet ku t’i përmendin zgjedhjet e lira ata janë të gatshëm që çdo gjë më përdor kundër këtyre zgjedhjeve sepse vetëm regjimet frikësohen nga vota e popullit”, tha ai.

Në fillim të tubimit u shfaq një video me përmbledhje e disa lajmeve si: gjetja e 55 vjeçarit të ngrirë në territorin e Hungarisë, rasti ku nëna pranon të shes organet për të ndihmuar vajzën e sëmurë, shtrenjtimi i energjisë elektrike, rasti i vrasjes së Zejnepe Bytyqi nga bashkëshorti i saj, nënshkrimi i marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të cilën opozita e quan “Zajednicë”.

“Kjo është dhuna e vërtetë”, ishte mbishkrimi i vendosur në këto imazhe.