Pallati i Drejtësisë | Foto: KALLXO.com

Burg me Kusht Përdoruesit të Armës në Aheng

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë u zhvillua sot seanca fillestare kundër Hajdin Ajetit, të akuzuarit nga prokuroria për armëmbajtje pa leje.

Aktakuza lidhet me të shtënat që Ajeti i shkrepi në një aheng familjar.

Gjatë seancës Ajeti e pranoi fajësinë.

“E pranoj fajësinë, kemi pasur një aheng familjar dhe kam shtënë në ajër,” tha Ajeti.

Me pranimin e fajësisë së Ajetit u pajtua prokurori, ndërsa pranimin e fajësisë e aprovoi pastaj gjykata.

Më pas trupi gjykues Ajetin e dënoi me viti burg me kusht. Ajeti nëse nuk dëshiron të shkojë në vuajtje të dënimit, duhet që të mos kryejë vepër tjetër penale gjatë dy vjetëve.

Prokuroria Themelore në Prishtinë akuzonte Ajetin se më 18 korrik 2015 në fshatin Peran të Podujevës gjatë një ahengu familjar në shenjë gëzimi ka shtënë disa herë në ajër me pushkën automatike AK 47 prodhim kinez të cilën e mbante pa autorizim.

Ajetit kjo armë sipas aktakuzës i ishte konfiskuar nga policia së bashku me një karikator dhe katër fishekë.

Edhe më 21 dhjetor, po në Gjykatën Themelore në Prishtinë për të shtëna pas marrjes së lajmit për fejesë të djalit u dënua me 300 euro gjobë Ahmet Zejnullahu.

http://kallxo.com/gjobe-perdoruesit-te-armes-ne-fejese-te-djalit/