Nenad Cvetkoviq, ish kryetar i komunës së Parteshit

Burg me Kusht për ish- Kryetarin e Komunës

Ish kryetari i komunës së Parteshit, Nenad Cvetkoviq, është shpallur sot fajtor nga Gjykata Themelore në Gjilan në akuzat për një rrahje që ndodhi tri vjet më parë.

Cvetkoviq i cili tani mban pozitën e këshilltarit në Ministrinë për kthime dhe Komunitete u dënua me 90 ditë burg me kusht, masë e cila do të ekzekutohet në rast se ai kryen ndonjë vepër tjetër penale brenda periudhës dyvjeçare.

Nenad Cvetkoviq akuzohej se në gusht të vitit 2013, gjatë kohës sa ishte kryetar i komunës së Parteshit, në selinë e partisë së tij Partia e Pavarur Liberale (SLS) në Partesh i kishte shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit Gavrillo Niçiq.

Ish kryetari i komunës akuzohet se ka goditur në disa pjesë të trupit tani të dëmtuarin, i cili për shkak të lëndimeve kishte kërkuar ndihmë në Qendrën e Emergjencës në Gjilan.

Paraparkisht gjatë shqyrtimit të sotëm gjyqësor dëshminë e tyre e kanë dhënë Sllobodan Maksimoviq, Sërgjan Zhiviq, Radovan Nikoliq dhe Sllobodan Stojanoviq.

Prokurori i shtetit Ismet Ukshini, në fjalën e tij përfundimtare tha që nga provat e shtjelluara është dëshmuar që i Cvetkoviq ka kryer veprën penale dhe kërkoi nga gjykata që ai të dënohet.

Avokati Elmi Qerimi gjatë fjalës përfundimtare kërkoi që klienti i tij të lirohet ngase “nuk është vërtetuar që ai ka sulmuar dikë” në ditën kritike.

Ndërsa vet i akuzuari në fjalën e tij tha që ndihet i pafajshëm dhe pret vendim meritor nga gjykata.

KALLXO.com kishte shkruar më herët edhe për të kaluarën kriminale të ish kryetarit të komunës.

http://kallxo.com/historia-kriminale-nuk-e-pengon-te-behet-keshilltar-ministrit/

Kryetari i Parteshit Ishte Dënuar për Dhunim