Konferenca e BIRN /ACDC me Avokatin e Popullit në Prizren

BIRN dhe ACDC organizuan diskutim publik me Avokatin e Popullit

Rrjeti Ballkanit për Gazetari Hulumtuese “BIRN” së bashku me Qendrën për Avokim Demokraci dhe Kulturë “ACDC” organizuan një diskutim mbi rolin e Avokatit të Popullit në trajtimin e çështjeve në interes të publikut.

Gjatë këtij diskutimi i cili u mbajt në qytetin e Prizrenit, fokus ju dha temave mbi mundësinë e bashkëpunimit në mes Avokatit të popullit, shoqërisë civile dhe mediave në trajtimin e çështjeve të interesit publik, veçanërisht të drejtave të njeriut, me ç’rast panelistët dhe pjesëmarrësit patën mundësi që të merrnin pjesë në këtë diskutim të hapur duke i drejtuar pyetje Avokatit të Popullit, Hilmi Jasharit si dhe Ambasadores së Mbretërisë së Holandës Gerrie Willems.

Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës, Gerrie Willems tha se përmes këtij projekti po synohet që të rritet vetëdija e popullit mbi rolin e Avokatit të Popullit si dhe vetëdijesimi i shoqërisë civile dhe mediave në monitorimin e punës së avokatit të popullit.

“Specifikisht projekti synon që të rritë efikasitetin e Ombudspersonit në mbikëqyrje dhe për përmirësim të ligjeve dhe sistemeve si dhe harmonizim të tyre me praktikat më të mira evropiane. Një objektiv tjetër i yni është përmirësimi i kuptimit publik, ngritja e vetëdijes mbi rolin e avokatit të popullit ndaj publikut. Si dhe vetëdijesimin e shoqërisë civile si dhe medieve për monitorimin e punës së avokatit të popullit”, tha ajo.

Tutje ambasadorja holandeze shtoi se përmes implementimit të këtij projekti shpreson që të përmirësohen të drejtat e njeriut në Kosovë.

“Synimi i projektit tonë është që së bashku me partnerët tonë të përmirësojmë të drejtat e njeriut në Kosovë përmes edukimit publik dhe në këtë mënyrë shpresojmë të fuqizojmë ndërveprimin shtetëror, shoqërinë civile, stafin e Avokatit të Popullit dhe shoqërinë në përgjegjësi që së bashku të përmirësojmë mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë”, deklaroi ambasadorja Gerrie Willems.

Krejt në fund ajo tha se në këto aktivitete ata do të luajnë rolin e ndihmësit prandaj pret që ndryshimet pozitive të vijnë nga shtetasit e Kosovës: “…në fund të fundit Kosova nuk është shteti ynë është shteti juaj prandaj këto ndryshime duhet të vijnë nga Kosovarët. Ky është shteti juaj, i fëmijëve tuaj, ju duhet një e ardhme më e mirë në këtë shtet”.

Kurse Avokati i popullit Hilmi Jashari tha se arsyeja se pse institucionet e Kosovës nuk janë treguar të suksesshme në mbrojtjen e të drejtave të njeriut qëndron në problemin e mos funksionimit të shtyllave të pushtetit në Kosovë.

Sipas një raporti të nxjerrë nga institucioni i Avokatit të Popullit, Hilmi Jashari tha se janë evidentuar 117 mijë lëndë gjyqësore në rajon vendi të cilat janë të vendosura por që ende nuk janë ekzekutuar, shifër për të cilin tregoi se fare nuk ishte evidentuar në raportin e nxjerrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Ndër të tjera ai përmendi edhe zvarritjet e procedurave gjyqësore për çka tha se në bazë të një hulumtimi nga institucioni i Avokatit të Popullit ka dalë që për të marrë një vendim gjyqësor nga Gjykata, një personi i duhet të pres afro 8-9 vite.

Ai e kritikoi edhe mënyrën e hartimit të ligjeve në Kosovë, periudhën e shkurtër kohore brenda të cilës tha se hartohen këto ligje si dhe hartimin e tyre nga ekspert të rinj për të cilët tha se nuk kanë përvojë të mjaftueshme në këtë lëmi.

“Ligjet tek ne hartohen për një periudhë shumë të shkurtër kohore brenda 12 muajve kalendarik ndërsa në vendet e tjera e kemi pa që zakonisht hartimi i një ligji pret prej 18-36 muaj me çka sigurohet një kualitet një ndjekje një ligj më i mirë dhe më i qëndrueshëm. Nëse s’ke ligje të mira gjyqtari si ka me vendos me zbatu”, deklaroi ai.

Diskutimi është mbajtur nën përkrahje të Ambasadës Holandeze si pjesë e projektit “OmbudsWatch”, i cili ka për qëllim promovimin e rolit të Avokatit të Popullit.