Slavko Çuruvija, gazetari serb i vrarë në vitin 1999 në Beograd

Besnikët e Millosheviqit e Quajtën “Tradhtar” Gazetarin e Vrarë Opozitar

Artikulli me titull “Çuruvija mirëpret bombat”, i botuar më 6 prill 1999, pesë ditë para se gazetari Slavko Çuruvija të vritej, u urdhërua nga krerët e gazetës Politika, u tha këtë javë në gjyqin e katër ish-oficerëve të sigurimit të shtetit që akuzohen për vrasjen e tij.

“Gazetat u ngjajnë ushtrisë për nga organizimi, e kam fjalën për komandantët dhe zinxhirin e përgjegjësisë. Në takimin me kryeredaktorin e gazetës Politika u vendos se na duhej ky artikull me të cilin t’i kujtonim njerëzit se Çuruvija përkrahte bombardimin e vendit,” tha Gjorgje Martiq, ish-redaktor i Politika Ekspres, e cila botoi artikullin.

Çuruvija u vra në mes të bombardimeve të NATO-s në Jugosllavi në vitin 1999, hap ky i ndërmarrë për të ndaluar fushatën ushtarake të presidentit Sllobodan Millosheviq në Kosovë.

Çuruvija, i cili e kritikonte haptazi Millosheviqin, shpesh botonte artikuj mbi vrasjet apo dëbimet e shqiptarëve të Kosovës nga forcat serbe.

Çuruvija ishte një kundërshtar i zhurmshëm i regjimit të Sllobodan Millosheviqit, u qëllua 17 herë pas shpine para ndërtesës ku ai jetonte në Beograd – një vrasje që familja dhe ish-kolegët e tij besojnë se është motivuar nga qëndrimi i tij opozitar.

Sipas aktakuzës, një ‘person i panjohur’ urdhëroi vrasjen dhe Radomir Markoviq, ish-kreu i sigurimit të shtetit në Serbi, urdhëroi vrasjen ndërsa tri ish-agjentë të tjerë sigurimi – Ratko Romiq, Milan Radonjiq dhe Miroslav Kurak – morën pjesë në organizimin dhe ekzekutimin e vrasjes.

Dyshohet se Kurak ishte autori i drejtpërdrejtë, ndërsa Romiq ishte bashkëpunëtori i tij.

Në kohën e vrasjes, kreu i gazetës Politika ishte Hadzi Dragan Antiq, i cili ishte gjithashtu një mik i ngushtë i gruas së Millosheviqit, Mira Markoviq.

Ai duhet të dëshmonte gjithashtu si dëshmitar, por për shkak të gjendjes së tij të dobët shëndetësore, gjykata vendosi të pranojë dëshminë e tij me shkrim, në të cilën ai tha se urdhëroi të bëhej një shkrim ku Çuruvija të përshkruhej si tradhtar.

Disa nga dëshmitarët në gjyqin e Çuruvijas, përfshirë edhe vajza e tij, u shprehën se Mira Markoviq ishte ndër personat që kishin lidhje me vrasjen e tij. Markoviq tani jeton në Moskë dhe ka mohuar të ketë qenë e përfshirë në vrasje.

Markoviq ishte e para që e etiketoi Çuruvijën tradhtar në nëntor 1998, kur ajo tha se ai mbështeste përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të bombarduar Serbinë për veprimet e saj në Serbi.

Fjalët e saj ishin përsëritur në artikullin me titull “Çuruvija mirëpret bombat” të botuar nga Politika Ekspres gjashtë muaj më vonë.

“Çuruvija kishte lidhje të ngushta me ata që na bombarduan, kështu që nuk kisha të drejtë morale të mos e botoja atë artikull. Unë dhe gazetari folëm për artikullin dhe unë e këshillova atë se çfarë të shkruante në të,” tha Martiç në gjykatë të hënën.

Miroslav Markoviq, autori i artikullit, dëshmoi gjithashtu, duke këmbëngulur se fjalët e përdorura në artikull ishin të tijat dhe ai thjesht u këshillua nga redaktori i tij Martiq të përqendrohej te Çuruvija.

“Isha i irrituar nga ata njerëz që përkrahnin bombardimet e NATO-s,” tha Markoviq.

Në gjyq dëshmoi gjithashtu edhe Milovan Brkiq, redaktori i të përjavshmes Tabloid, i cili tha se në vitin 1999 ai mori informacione se Çuruvija do të vritej, por “nuk arriti t’ia thoshte në kohë atij”.

Ai tha gjithashtu se kishte informacione se pas vrasjes qëndronte Luka Pejoviq, një anëtar i Njësisë së Operacioneve Speciale të Ministrisë së Brendshme, ndërsa vrasja ishte urdhëruar nga kryeministri aktual i Serbisë Aleksandër Vuçiq.

Megjithatë, ai nuk ofroi prova për të mbështetur akuzat e tij dhe nuk tregoi se kush ia dha këto informacione.

Vuçiq ishte ministër për median dhe informacionin në regjimin e Millosheviqit në atë kohë. Ai ka mohuar të jetë në dijeni se kush e vrau Çuruvijën.

Të tre të dyshuarit e kanë deklaruar veten të pafajshëm, ndërsa Kurak është në arrati dhe po gjykohet në mungesë.

I pandehuri Markoviq aktualisht po kryen dënimin me 40 vjet burg për vrasjen e ish-presidentit serb Ivan Stamboliq dhe krime të tjera, ndërsa Romiq dhe Radonjiq ditën e martë u liruan nga akuza për tentativë për vrasje të liderit të partisë opozitare Vuk Drashkoviq në vitin 2000.

Çuruvija fillimisht ishte gazetar për shumë revista të njohura dhe gazeta të përditshme në Serbi dhe ish-Jugosllavi.

Në vitin 1994, pas marrjes nga ana e regjimit të gazetës Borba, ai dhe shumë pjesëtarë të tjerët të stafit vendosën ta linin punën atje.

Në vitin 1996, ai themeloi “Dnevni Telegraf”, gazetën e parë private në Serbi pas më shumë se 50 vjetësh. Çuruvija ishte drejtori, kryeredaktori dhe pronari i saj i vetëm. Në vitin 1998 ai nisi gjithashtu një revistë që dilte çdo dy javë dhe titullohej “Evropljanin”.