Foto: Milosh Vuçeviç, "X"

Vuçiq emëron aleatin e tij Vuçeviq si mandatar për themelimin e qeverisë serbe

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq emëroi të shtunën aleatin e tij të ngushtë Milosh Vuçeviq për postin e kryeministrit, që do të themelojë dhe drejtojë një qeveri të re në një kohë lufte në Evropë dhe mes tensionesh me Kosovën.

Emërimi u bë më shumë se tre muaj pasi Partia Përparimtare Serbe, fitoi në zgjedhjet e 17 dhjetorit, që u kritikuan nga vëzhgues vendas e ndërkombëtarë. Milosh Vuçeviq mori drejtimin e partisë pasi presidenti Vuçiq dha dorëheqjen vitin e kaluar nga posti i kryetarit të kësaj partie.

Ish-avokati Vuçeviq i cili për dhjetë vjet kishte drejtuar qytetin e Novi Sadit, nga viti 2022 shërbeu si zëvendëskryeministër dhe ministër i Mbrojtjes në qeverinë e paraardhëses së tij Ana Bërnabiq, e cila tani është kryetare e parlamentit serb.

Partia në pushtet ka 113 deputetë në parlamentin me 250 vende dhe duhet të kërkojë partnerë për të formuar qeverinë. Partia Socialiste dhe Liga e Hungarezëve të Vojvodinës, të dy partnerë tradicionalë të presidentit Vuçiq kanë 13, përkatëisht 6 deputetë.

Mandatari Vuçeviq pritet të formojë një qeveri në javët e ardhshme, e cila do të përballet me një detyrë të vështirë të vendosjes së drejtpeshimit midis lidhjeve të Serbisë me Rusinë dhe Kinën dhe aspiratës së saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Serbia e cila ka statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, në radhë të parë për shkak të mbështetjes së Kremlinit ndaj pretendimeve të Beogradit mbi Kosovën, pavarësinë e së cilës vazhdon ta kundërshtojë.

Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është thelbësor për Serbinë në rrugën drejt integrimeve evropiane.

Presidenti Vuçiq është përballur me akuza për kufizimin e lirive demokratike që kur mori kontrollin mbi pushtetin mbi një dekadë më parë.

Vëzhguesit ndërkombëtarë, thanë se votimet e dhjetorit u mbajtën në “kushte të padrejta”, pjesërisht për shkak të përfshirjes së presidentit dhe avantazheve që i krijon sistemi partisë në pushtet.

Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut e OSBE-së në raportin e publikuar më 28 shkurt tha se kushtet nuk ofruan barazi për të gjithë në zgjedhje sepse ato u mbizotëruan nga pjesëmarrja e presidentit të shtetit, Aleksandar Vuçiq dhe ato ishin “dëmtuar nga retorika e ashpër, animet në media, trysnia ndaj punonjësve të sektorit publik dhe keqpërdorimi i burimeve publike”.

Më 8 shkurt, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë që kërkonte hetim ndërkombëtar për parregullsitë e raportuara për zgjedhjet e dhjetorit.

Pushteti i ka mohuar vlerësimet e vëzhguesve dhe ka akuzuar opozitën se po përpiqet të destabilizojë vendin.

Opozita dhe disa vëzhgues lokalë të zgjedhjeve thanë se me 17 dhjetor votues nga jashtë janë përfshirë në listat e votuesve në Beograd dhe janë dërguar me autobusë në ditën e zgjedhjeve për të votuar për partinë në pushtet.

Në fillim të qershorit pritet që të mbahen sërish zgjedhjet për pushtetin në kryeqytetin serb./VOA.