Bekim Jashari e bën me trotuar rrugën për te fshati i Presidentit

Komuna e Skenderajt ka njoftuar se qe dy javë ka filluar ndërtimin e trotuarit përgjatë rrugës që lidh fshatin Burojë dhe Turiqefc.

KALLXO.com kishte raportuar për gjendjen e keqe të asfaltit të kësaj rruge konkretisht për rrugën ‘Smajl Rexha’ në muajin gusht të vitit të kaluar, ku qytetarët para kamerës së KALLXO.com e kishin cilësuar edhe të rrezikshme për këmbësoret.

Kjo komunë përmes një postimi në ‘Facebook’, ka njoftuar së punimet në realizimin e këtij projekti do t’i jep zgjidhje mungesës së infrastrukturës së munguar prej shumë kohësh dhe sipas tyre, punimet po shkojnë sipas planifikimeve.

“Ka qenë kërkesë e arsyeshme e banorëve të fshatrave të bashkësisë lokale të Turiqecit, investimi i Komunës në ndërtimin e trotuarit përgjatë segmentit rrugor që lidh Burojën dhe Turiqecin, për të ofruar siguri të më madhe për qytetarët sidomos për nxënësit që udhëtojnë shtëpi – shkollë dhe anasjelltas”, thuhet në njoftimin e komunës.

KALLXO.com ka raportuar në muajin nëntor se rrugët për të shtëpitë e familjes së Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, në fshatin Burojë të Skenderajt kanë filluar të rregullohen pas raportimit të KALLXO.com se gjendja e tyre është e keqe.

Por që, rruga ‘Smajl Rexha’ kishte mbetur e njëjtë.

KALLXO.com kishte kontaktuar me komunën e Skenderaj ku ka marrë konfirmimin se punimet janë duke u zhvilluar me mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës.

Për këtë rrugë, KALLXO.com në shtator kishte kontaktuar me zyrën e Ministrisë së Infrastrukturës, të cilët kishin thënë se nuk është “kompetencë e tyre por e Komunës së Skenderajt”.