Behxhet Haliti: I Kisha hy në Hak Vetit

Megjithë akuzat për falje të borxheve, ish drejtori i ATK-së Behxhet Haliti konsideron që ka kryer punë shumë të mirë në këtë institucion.

“Personalisht, shpeshherë e them që unë i kisha hy në hak vetit. Unë nuk po them që e kam bërë krejt në mënyrë të shkëlqyeshme por ajo që ka qenë e mundshme edhe unë besoj që e kam bërë mbi mesataren dhe ndihem shumë shumë mirë. Me tana t’mirat edhe dobësitë, me tana dyshimet edhe avantazhet, unë mendoj që e kam bërë një hap, mendoj që e kam bërë një hap pozitiv dhe kisha dashtë që secili me ba të paktën, të paktën jo sa gjysma jem, veç le të jenë të paktën sa unë”, tha Haliti.

Në pjesën e fundit të trilogjisë “Vjedhja e Organizuar Tatimore”, në emisionin Jeta në Kosovë flet edhe Ish-Drejtori i ATK-së në kohën e të cilit edhe ishte zbuluar skema gjigande e evazionit fiskal.

Përderisa skema e shmangies së tatimit shpjegohet dhe trajtohet në dy episodet e para, në këtë episod, Haliti dhe zyrtarë të tjerë përballen me punën e tyre në këtë institucion.

Haliti pranon para Jeta Xharrës lidhjen e tij me politikën dhe flet për veprimet e tij gjatë dy mandateve nga viti 2009 deri në vitin 2015.

Ai e pranon se i kishte ndihmuar profesionalisht PDK-së.

“Unë edhe sot mendoj, sot dhe nesër edhe profili im duhet me i ndihmu edhe PDK-së edhe LDK-së edhe Vetëvendosjes edhe të gjithave kudo që e ndiejnë”, tha Haliti.

Megjithatë aktakuzat dhe marrjen në pyetje nga policia gjatë kohës së mandatit të tij, Haliti nuk i konsideron si presion politik.

“Po në vendet në tranzicion, demokracitë e brishta, puna dhe përgjegjësia në institucione si dogana, Administrata Tatimore, çdo herë dhe çdo kohë janë të ekspozuara ndaj këtyre rreziqeve. Kisha me qenë shumë i ftohtë edhe robotik nëse them që nuk sjell për një moment shqetësim tek ne por ajo është çmimi që çdo zyrtar duhet ta kalkulojë edhe të paguajë dhe ta qet një hap më tutje”, deklaron Sharku.

Emisionin e plotë, ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm.