Gjykimi i ish-shefit të Hetimeve të ATK-së, dëshmitari: Ka pasur fatura fiktive dhe kam qenë në dijeni se kishte ndodhur vepër penale

Në gjykimin ndaj ish-shefit të Njësitit të Hetimeve të Administratës Tatimore të Kosovës, Safet Krasniqi, i cili akuzohet për keqpërdorim detyre, është dëgjuar Bekim Haziri, hetues dhe Besim Halili, inspektor në ATK.

Krasniqi po akuzohet se që nga viti 2013 e deri në vitin 2019 sa ka qenë në krye të Hetimeve të ATK-së e ka keqpërdorur detyrën e tij dhe u ka mundësuar bizneseve që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme.

Bekim Haziri, i cili deklaroi se është hetues tatimor në ATK, ka treguar se kishte asistuar në realizimin e kontrolleve në bizneset “Loni”, “Xoni”, “Flaka”, “Yllka”, si dhe në “Petrol Company”.

Dëshmitari ka thënë se kishte bërë rikontroll dhe vlerësim me autorizim të Nahit Sharkut dhe me urdhëresë të eprorit të tij, Jeton Dragushës, në kompaninë “Petrol Comapy”.

“Te ‘Petrol Company’ kam qenë në cilësinë e inspektorit tatimor, e jo në cilësinë e hetuesit. Qëllimi i këtij rikontrolli ka qenë eliminimi i disa faturave të cilat janë dyshuar se janë transaksione fiktive. Gjatë rikontrollës janë gjetur ato fatura për të cilat kemi dyshuar dhe të gjitha janë përfshirë në raportin me shkrim”, ka thënë dëshmitari.

Tutje  dëshmitari ka treguar se fatura që ishin dyshuar si transaksione fiktive nuk ishin trajtuar si blerje e biznesit nga ana e ATK-së dhe si rezultat i tyre kishte pasur edhe tatim shtesë.

Sipas dëshmitarit, korrigjimi i atyre faturave  kishte ndodhur nga ana e biznesit, duke treguar se ATK-ja bizneset vetëm i kishte këshilluar që të bëjnë përmirësimin.

“Petrol Company është këshilluar që t’i korrigjojë, sepse ATK-ja nuk ka mundur të përdorë standarde të dyfishta që disa të përmirësohen e disa të ndëshkohen, prandaj vetë tatimpaguesi i ka bërë korrigjimet”, ka shtuar dëshmitari.

Më pas i njëjti ka thënë se nga i akuzuari  Safet Krasniqi nuk kishte pasur asnjë urdhëresë apo autorizim, duke treguar se autorizimin e kishte marrë nga Jeton Dragusha, të cilën e kishte nënshkruar zëvendësdrejtori Nahit Sharku.

Kurse dëshmitari Bekim Halili, i cili punon si inspektor në Departamentin e tatimpaguesve të mëdhenj në ATK, ka deklaruar se subjekti “Eskavatori” kishte pasur fatura fiktive dhe se kishte qenë në dijeni se kishte ndodhur vepër penale.

“Me sa kam njohuri Njësia e Hetimeve Tatimore ka bërë kërkesë që “Eskavatorit” për periudhat në fjalë t’i bëhet procedura e rikontrollit, pas kërkesës me shkrim është nxjerrë vendim për caktim të rastit të rikontrollit nga zëvendësdrejtori Nahit Sharku”, ka thënë dëshmitari.

Dëshmitari tutje ka shtuar se e kishte pranuar vendimin për hapje të rikontrollit nga udhëheqësi i ekipit, Kadri Gashi, dhe se  kishte kryer rivlerësim të periudhave ku kishte pasur dokumente që ishin konsideruar se kishin qenë transaksione me përmbajtje fiktive.

Sipas tij, faturat të cilat ishin gjetur te ky biznes dhe pas konstatimit si fatura fiktive, duke vepruar sipas ligjit, e kishin ngarkuar këtë biznes me rritje të vlerës tatimore.

Më pas dëshmitari ka treguar se qëllimi i marrjes së atyre faturave fiktive nga ana e subjekteve kishte qenë përfitimi i TVSh-së dhe zbritja e fitimit para tatimit.

Pas dëgjimit të dy dëshmitarëve, seanca e radhës është caktuar më 30 nëntor.

Sipas Prokurorisë Speciale, Safet Krasniqi, akuzohet se edhe pse ka qenë në dijeni se shumë biznese po u shmangeshin tatimeve duke u përfshirë në transaksione dhe fatura fiktive nuk kishte ndërmarrë veprime të kontrolleve, vizitave dhe nuk ka iniciuar procedura penale ndaj atyre bizneseve

Madje, sipas Prokurorisë, ai u kishte mundësuar këtyre bizneseve që të bëjnë korrigjimin e deklarimeve tatimore edhe pse ka qenë në dijeni se një veprim i tillë ishte i kundërligjshëm.

Dëmi të cilin Krasniqi akuzohet t`i ketë shkaktuar ATK-së është mbi 883 mijë euro.

Ky skandal ishte zbuluar nga hulumtimi i emisionit “Jeta në Kosovë“.

Rasti ishte zbuluar pasi Murat Mehmeti, zyrtar hetues në ATK, kishte rrëfyer se si kanë arritur disa biznese të udhëhequra nga një kontabilist t’u ikin pagesave tatimore duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës dëme në vlerë të miliona eurove.

Pas këtij zbulimi Murat Mehmeti është përballur me presione dhe transfere në punën e tij.