Suspendohet nga puna zyrtari i Administratës Tatimore të Kosovës, Safet Krasniqi

Shefi i Njësisë së Hetimeve dhe Inteligjencës në Administratën Tatimore të Kosovës, Safet Krasniqi, është pezulluar nga puna.

Vendimi për pezullim nga puna erdhi pasi Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për vepra korruptive ndaj tij.

Krasniqi nga dita e nesërme nuk do të ushtrojë detyrën e tij në Administratën Tatimore deri në vendimin e plotfuqishëm të organeve të drejtësisë.

Vendimin për pezullimin nga puna të këtij zyrtari të lartë e konfirmoi drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj.

“Dje kemi marrë konfirmimin nga Ministria e Administratës Publike dhe sot e kemi pezulluar nga puna”, tha shkurt drejtori.

Safet Krasniqi po akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës se gjatë kohës sa ishte ushtrues detyre i pozitës së drejtorit të Hetimeve në ATK nuk kishte ndërmarrë asnjë aktivitet kontrolli, apo vizitë duke e dëmtuar kështu qëllimisht buxhetin e Kosovës.

Sipas aktakuzës, Safet Krasniqi i kishte autorizuar disa zyrtarë të ATK-së për të vizituar disa biznese dhe për t’ua korrigjuar deklarimet tatimore, ndonëse për to kishte deklarime se punonin me fatura të dyshimta.

Në seancën e djeshme në Gjykatën e Prishtinës, Safet Krasniqi u deklarua i pafajshëm përballë akuzave të Prokurorisë.

Dështon seanca ndaj zyrtarit të lartë të ATK-së

Ky rast ishte shfaqur fillimisht në emisionin “Jeta në Kosovë”, në të cilin ishin paraqitur një seri hulumtimesh rreth vjedhjes së organizuar tatimore.

Rasti ishte zbuluar pasi Murat Mehmeti, zyrtar hetues në ATK, kishte rrëfyer se si kanë arritur disa biznese të udhëhequra nga një kontabilist t’u ikin pagesave tatimore duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës dëme në vlerë të miliona eurove.

Pas këtij zbulimi Murat Mehmeti është përballur me presione dhe transfere në punën e tij.

www.kallxo.com