Ish shefi i Hetimeve në ATK del para gjykate nën akuzat për korrupsion
Ish shefi i Njësitit të Hetimeve në Administratën Tatimore të Kosovës, Safet Krasniqi, është ulur në bankën e të akuzuarit për t`u përballë me akuzat për korrupsion.
Ai po akuzohet se që nga viti 2013 e deri në vitin 2019 sa ka qenë në krye të hetimeve e ka keqpërdorur detyrën e tij dhe iu ka mundësuar bizneseve që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme.
Në seancën e sotme gjyqësore në cilësinë e dëshmitarëve u dëgjuan dy zyrtarë të ATK-së, të cilët kishin qenë të përfshirë në kontrolle të këtyre bizneseve.
I pari i cili u dëgjua në cilësinë e dëshmitarit ishte Kadri Gashi, ish shefi i ekipës hetimore në ATK.
Gashi tha se arsyeja që bizneseve iu është mundësuar korrigjimi i tatimeve ka qenë kërkesa e prokurorit që të vazhdohet me inkasimin e tatimeve.
“Kërkesa për korrigjim të këtyre deklaratave tatimore në përmbajte ka pas dhënien e mundësisë bizneseve 5 deri në 7 ditë që t`i korrigjojnë deklarimet e tyre, kjo kërkesë është ndërmarrë në bashkëpunim me prokurorin pasi ai ka qenë në dijeni dhe ka pas rekomandim nga ana e tij që të bëhet inkasimi i borxheve”, tha Gashi.
Ai shtoi se dëmi për ATK-në ekziston, mirëpo njësiti i hetimeve në ATK e kishte bërë më të mirën e mundshme në këtë proces dhe si rezultat i saj kishin marrë lëvdata nga faktorët ndërkombëtar.
Se vendimi për korrigjimin e deklarimeve tatimore është marrë pas udhëzimeve të prokurorit e tha edhe dëshmitari tjetër Jeton Dragusha.
“Hetuesi apo bartësi i lëndës ka qenë në konsulta të vazhdueshme me prokurorin e rastit dhe sipas asaj që është thënë megjithëse nuk ka pasur me shkrim pasi prokurori nuk ka dhënë me shkrim është vendosur që të ndërmerren veprimet të cilat janë ndërmarrë”, tha dëshmitari.
Pas këtyre deklaratave, anëtarja e trupit gjykues Albina Rama pyeti dëshmitarin se pse i kanë ndërmarrë këto veprime duke pasur parasysh se të njëjtat ishin në kundërshtim me ligjin e ATK-së.
Në lidhje me pyetjen e gjyqtares dëshmitari Dragusha tha se pasi këto veprime ua ka kërkuar prokurori kanë menduar se të njëjtat kanë qenë të ligjshme.
“Është e vërtetë mirëpo në rastin konkret të gjitha veprimet janë ndërmarrë me sugjerimet e marra nga prokurori i rastit dhe kemi konsideruar se përderisa është marrë me miratimin e prokurorit nuk është e kundërligjshme”, tha dëshmitari.
Pas dëgjimit të dëshmitarëve me kërkesë të prokurorit special Burim Çerkini u vendos që në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohen edhe ish drejtori i ATK-së, Behxhet Haliti dhe zëvendës drejtori i përgjithshëm Nahit Sharku.
Safet Krasniqi akuzohet nga Prokuroria Speciale se edhe pse ka qenë në dijeni se shumë biznese po u shmangeshin tatimeve duke u përfshirë në transaksione dhe fatura fiktive nuk kishte ndërmarrë veprime të kontrolleve, vizitave dhe nuk ka iniciuar procedura penale ndaj atyre bizneseve.
Madje sipas prokurorisë ai u kishte mundësuar këtyre bizneseve që të bëjnë korrigjimin e deklarimeve tatimore edhe pse ka qenë në dijeni se një veprim i tillë ishte i kundërligjshëm.
Dëmi të cilin Krasniqi akuzohet t`i ketë shkaktuar ATK-së është mbi 883 mijë euro.
Ky rast ishte shfaqur fillimisht në emisionin “Jeta në Kosovë”, në të cilin ishin paraqitur një seri hulumtimesh rreth vjedhjes së organizuar tatimore.
Rasti ishte zbuluar pasi Murat Mehmeti, zyrtar hetues në ATK, kishte rrëfyer se si kanë arritur disa biznese të udhëhequra nga një kontabilist t’u ikin pagesave tatimore duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës dëme në vlerë të miliona eurove.
Pas këtij zbulimi Murat Mehmeti është përballur me presione dhe transfere në punën e tij – LINK
KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi të këtij procesi – LINK