Hulumtimi i ‘Jeta në Kosovë’, aktakuzë për vjedhjen e organizuar tatimore

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Safet Krasniqit, ish-ushtruesit të detyrës së drejtorit të Njësisë së Hetimeve Tatimore  dhe të Inteligjencës në Administratën Tatimore të Kosovës për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, i pandehuri Safet Krasniqit, nga viti 2013 e deri në shkurt të vitit 2019, duke vepruar në cilësinë e zyrtarit  në Administratën Tatimore të Kosovës, në pozitën e  ushtruesit të drejtorit të Njësisë Hetimore dhe të Inteligjencës, me qëllim të dëmtimit të buxhetit të Republikës së Kosovës  dhe përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete dhe 120 biznese ekonomike.

Gjithnjë sipas Prokurorisë Speciale, i pandehuri Safet Krasniqit,  për disa biznese nuk kishte ndërmarrë asnjë aktivitet, vizitë, kontroll, rikontroll e as inicim të procedurave penale duke shpërdoru detyrën e tij zyrtare.

I pandehuri Safet Krasniqi, kishte autorizuar zyrtarë  të ATK-së, për të vizituar disa biznese dhe për t’I korrigjuar deklarimet tatimore në ato biznese të vizituara ë të cilat deklarimet kanë qenë  lidhur me fatura të dyshimta dhe transaksione fiktive me biznese fiktive  në kundërshtim me ligjin e ATK-së duke mos ndërmarrë veprime hetimore bazuar në po të njëjtin ligj.

Në nëntor të vitit 2016, emisioni Jeta në Kosovë kishte realizuar një seri hulumtimesh rreth vjedhjes së organizuar tatimore.

Në pjesën e parë të emisionit ‘’Jeta në Kosovë’’ për ‘’Vjedhjet e Organizuara Tatimore’’, Murat Mehmeti ka rrëfyer se si kanë arritur disa biznese të udhëhequra nga një kontabilist t’u ikin pagesave tatimore duke i shkaktuar kështu miliona euro të buxhetit të Kosovës.

Pjesa e dytë e trilogjisë së emisionit ‘’Jeta në Kosovë’’ i është kushtuar skemës së evazionit fiscal të cilën e ka zbuluar Mehmeti. Pas këtij zbulimi Mehmeti është përballur me presione dhe transfere në punën e tij.