Gjykimi i Safet Krasniqit - Foto: KALLXO.com

Gjykimi i ish-shefit të Hetimeve të ATK-së, dëshmitari tregon si e zbuloi aferën që buxhetit të Kosovës i kushtoi miliona euro

Në Gjykatën e Prishtinës sot ka vazhduar gjykimi ndaj ish-shefit të Njësitit të Hetimeve të Administratës Tatimore të Kosovës, Safet Krasniqi.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale, Krasniqi është duke u përballur me akuzat për korrupsion.

Ai po akuzohet se që nga viti 2013 e deri në vitin 2019 sa ka qenë në krye të Hetimeve të ATK-së e ka keqpërdorur detyrën e tij dhe u ka mundësuar bizneseve që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme.

Në cilësinë e dëshmitarit të propozuar nga Prokuroria sot u dëgjua zyrtari hetues i ATK-së, Murat Mehmeti.

Para trupit gjykues Mehmeti ka treguar se si disa përmes disa bizneseve fiktive kishin arritur t’u iknin pagesave tatimore duke i shkaktuar dëme në vlera milionëshe buxhetit të Kosovës.

Po ashtu, dëshmitari ka treguar se kanë qenë mbi 300 firma reale të cilat kishin bashkëpunuar me firmat fiktive.

Në dëshminë e tij Mehmeti ka sqaruar se si nga hulumtimi i tij ka rezultuar se pronari i një kompanie ishte kontabilist në kompaninë tjetër.

“Kur kam lexuar të tri dosjet “Yllka“, “Loni“, “Flaka“ së bashku me një ekspert gjerman në konsultim të përhershëm kam filluar të përpiloj një përmbledhje rreth ndërlidhjeve të tre pronarëve të bizneseve ku shihej se pronari i njërës ishte kontabilist të tjetra dhe ishin persona të ndërlidhur, kam shikuar llogaritë bankare, kam vërejtur se edhe bizneset e tjera kanë kryer deponime“, tha Murat Mehmeti.

Tutje, Mehmeti ka treguar se si firmat reale i shfrytëzojnë firmat fiktive që të zhduknin gjurmët.

“Firmat reale i shfrytëzojnë firmat fiktive në mënyre që më i zhdukë gjurmët, këtë mall që e importojnë në emër të firmave fiktive e shesin në tregun e zi sepse nuk ka asnjë gjurmë, nuk lëshon faturë, nuk paguan tatim dhe është para ligjit OK derisa nuk e zë dikush “, tha dëshmitari.

Duke u përgjigjur ne pyetjen e prokurorit, dëshmitari Mehmeti ka sqaruar se hetimet ndaj bizneseve kishin filluar për shmangie nga tatimi kurse gjatë hetimeve kishin vërejtur se këto firma ishin fiktive.

“E mbaj mend se kam shkuar në identifikimin e vendndodhjeve, nga tre të paraqiturit i kam identifikuar dy prej tyre, e kam identifikuar në baraka të Obiliqit së bashku me hetuesen e lëndës. Një plak që kishte kancer, Mahmut Gashi dhe informacionet e mia nga policët, nga njerëzit, me kanë treguar se këta njerëz janë të varfër dhe se ngarkesat milionëshe ose mijëra dhe kapaciteti i tyre ekonomik me tregonte që këta persona nuk janë se kanë kapacitete ekonomike dhe intelektuale me udhëheq biznese“, tha Mehmeti.

Dëshmitari ka theksuar se personi për të cilin ka rrëfyer si me lartë ishte paraqitur si pronar i biznesit “Yllka“ që më pas kishte rezultuar të ishte fiktiv.

Gjithashtu, gjatë dëshmisë së tij Mehmeti ka treguar se si kompania fiktive “Yllka“ kishte arritur që të importonte mallra në vlerë prej 2 milionë euro.

“Më duket “Yllka” ka mbi 2 milionë importe, është një biznes tjetër që ka rreth 4 milionë e 300 euro“, sqaroi Mehmeti.

Tutje dëshmitari ka shpjeguar se si në dosjen “LONI“ ishte një firmë e cila kishte arritur që të  importonte mallra në vlerë mbi 4 milionë euro.

“Në dosjen “Loni” e keni një firmë “Roni“, më duket se është pronar Amir Azemi që ka shitje 700 mijë euro në vitin 2013, çka ka ndodhur, nëse do të zhvilloheshin hetime përfundimi do të ishte se biznesi real ka importuar 4 milionë e 200 mije euro mall, tërë mallin e importuar edhe pse ka paguar doganën dhe tatimin është çështje e TVSH-së se brendshme. Këtë 4 milionë e 200 mijë euro e shet në tregun e zi ndërsa u lëshon fatura firmave fiktive dhe zhduken gjurmët“, tha dëshmitari.

Po ashtu, prokurori Burim Çerkini e ka pyetur dëshmitarin se a e kishin zhvilluar hetimin lidhur me firmat reale të cilat kishin bashkëpunuar me katër firmat fiktive si “Yllka“, “Loni“ etj.

“Unë dhe hetuesit e mi kemi filluar të shkojmë te firmat reale pas urdhrit të Prokurorisë dhe të marrim dëshmitë. Kemi shkuar të biznesi “Ilir Kosova“  dhe në mënyrë operative kam kërkuar katër fatura nga blerës të ndryshëm. Në mesin e katër faturave kam kërkuar faturën që ka pasur me “Yllkën“ ose me “Lonin“, dhe ne momentin kur e kemi kërkuar faturën që është kontestuese – diskriminuese kontabilistja e ka ndërprerë bashkëpunimin, e ka thirre pronarin dhe kemi pritur për një orë. Në momentin kur i kërkoni fatura tjera kam qenë më dy hetues, në momentin kur është përmend fatura inkriminuese është ndalë se nuk guxonte me ia dhënë faturën, me pas ka ardhur pronari e ka dhënë vërtetimin…”, tha Mehmeti.

I pyetur nga prokurori Çerkini se çfarë kanë bërë me firmat reale të cilat kanë bashkëpunuar me firmat fiktive, dëshmitari ka thënë se kishte përgatitur kallëzim penal të zgjeruar, të cilin e kishte ndalur për shkak të lëvizjeve taktike në rast.

Mehmeti ka shpjeguar se kur tani i pandehuri Safet Krasniqi kishte ardhur në pranverën e vitit 2013, procedura hetimore ndaj firmave reale ka qenë në Prokurorinë Speciale.

“Kur ka ardhur ish-menaxheri ka filluar me këtë dosje, kemi shkuar në takim në të cilin kanë qenë ndërkombëtarja Sena, Sevdije Morina, hetuesja Emolinda Zeka, Florim Kurtishaj, Xhevdet Shurdhani, kërkoj falje nëse ndonjëri nuk me kujtohet por e mbaj mend se Emolinda dhe Safeti kanë qenë 100%, kemi shkuar për të biseduar me prokurorin e lëndës Ali Rexha, shefen e PSRK-së Sina dhe Sevdije Morina. Në takimin e parë meqë ata me njihnin si procedues i shkresës ishte normale që të fillojë komunikimi me mua, fillova me komuniku. Në momentin e parë ma ka marr fjalën Safet Krasniqi në prezencë, jo se din ky, kjo merret me këtë, e kishte fjalën për Emolinden “, tha Mehmeti.

“Që nga ai takim më kanë përjashtuar prej lëndës dhe nuk më kanë marrë më në takime“, theksoi Murat Mehmeti.

Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit special, dëshmitari tha se më nuk kishte ndërmarrë veprime në lidhje me këto tri raste.

“Po flas për veprimet që i ka parë edhe me media bëhet fjalë se dikush në drejtori së bashku me të pandehurin e juaj kanë marrë një vendim të kundërligjshëm që në vend të procedimit penal të zgjerimit të hetimeve kanë marrë një vendim të korrigjimit të deklaratave“, tha dëshmitari.

Dëshmitari po ashtu para trupit gjykues ka treguar se si një ditë para operacionit atë e kishin transferuar në një njësi tjetër.

“Operacioni i bastisjes në dosjet “Loni”, “Flaka”, “Yllka” ka ndodhur më 4 qershor 2013. Më 3 qershor unë jam transferuar, një ditë para operacionit, në njësinë e divizionit të arkave fiskale“, tha Mehmeti.

I pyetur nga prokurori nëse kishte humbje buxheti i Kosovës për shkak të korrigjimit të deklaratave tatimore dëshmitari është përgjigjur se ka pasur shumë humbje.

“Gjithsesi që ka humbje. Tek firmat të cilat janë korrigjuar nëse e kanë paguar e kanë rikuperuar dëmin që kanë bërë sepse është paguar edhe ndëshkimi “, tha dëshmitari.

Ndërsa duke u përgjigjur në pyetjen e anëtares së trupit gjykues Albina Rama dëshmitari ka treguar se bizneset edhe në mënyrë elektronike kanë mundësi që të bëjnë korrigjimin e deklaratave.

“Bizneset e kanë mundësinë elektronike që nga zyrat e veta t’i korrigjojnë deklarata. Nëse biznesi vet e korrigjon një deklaratë gjashtë vjet mbrapa sa është e lejuar, nëse brenda deklaratës ka fatura fiktive dhe edhe pse e korrigjon ai nuk lirohet nga përgjegjësia penale por vetëm ndërron paragrafi në vetëdenoncim, prapë procedohet në prokurori “, sqaroi Mehmeti.

Kurse duke u përgjigjur në pyetjet e kryetares se trupit gjykues Shadije Gerguri dëshmitari ka sqaruar se nëse është bërë korrigjimi i deklaratve pasi janë zbuluar fatura fiktive atëhere kjo është vepër penale.

“Është shkelje ligjore, kushdo që ka urdhëruar, që ka zbatuar, që ka vepruar ose s’ka vepruar, të gjitha janë shkelje ligjore“, tha dëshmitari.

Safet Krasniqi akuzohet nga Prokuroria Speciale se edhe pse ka qenë në dijeni se shumë biznese po u shmangeshin tatimeve duke u përfshirë në transaksione dhe fatura fiktive nuk kishte ndërmarrë veprime të kontrolleve, vizitave dhe nuk ka iniciuar procedura penale ndaj atyre bizneseve.

Madje, sipas Prokurorisë, ai u kishte mundësuar këtyre bizneseve që të bëjnë korrigjimin e deklarimeve tatimore edhe pse ka qenë në dijeni se një veprim i tillë ishte i kundërligjshëm.

Dëmi të cilin Krasniqi akuzohet t`i ketë shkaktuar ATK-së është mbi 883 mijë euro.

Ky skandal ishte zbuluar nga hulumtimi i emisionit “Jeta në Kosovë“.

Rasti ishte zbuluar pasi Murat Mehmeti, zyrtar hetues në ATK, kishte rrëfyer se si kanë arritur disa biznese të udhëhequra nga një kontabilist t’u ikin pagesave tatimore duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës dëme në vlerë të miliona eurove.

Pas këtij zbulimi Murat Mehmeti është përballur me presione dhe transfere në punën e tij.