Foto: KALLXO.com

Gjykimi i ish-shefit të hetimeve të ATK-së, dëshmitari: Administrata Tatimore nuk ka pasur humbje por vetëm fitime

Në gjykimin ndaj ish-shefit të Njësitit të Hetimeve të Administratës Tatimore të Kosovës, Safet Krasniqi, i cili është duke u përballur me akuzat për korrupsion, janë dëgjuar disa dëshmitarë të propozuar nga Prokuroria Speciale.

Krasniqi po akuzohet se që nga viti 2013 e deri në vitin 2019 sa ka qenë në krye të Hetimeve të ATK-së e ka keqpërdorur detyrën e tij dhe u ka mundësuar bizneseve që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme.

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm për programe dhe procedura në ATK, Nahit Sharku, në pyetjet e prokurorit Burim Çerkini ka deklaruar se në kohën kur kanë filluar hetimet për 4 apo 5 firma të cilat ishin dyshuar për faturat fiktive, ka thënë se ishin zhvilluar dy takime në të cilat kishin marrë pjesë ai, drejtori Behxhet Haliti dhe i dyshuari Safet Krasniqi dhe disa hetues.

“Në këtë takim, hetuesja së bashku me drejtorin kanë prezantuar se është një numër i madh i bizneseve që lidhen me rastet që janë duke u hetuar dhe ideja ka qenë si të trajtohen të gjitha këto raste pasi Njësia e Hetimeve nuk ka kapacitete t’i trajtojë të gjitha në një kohë. Nga takimi është marrë konkludimi që të bisedohet me prokurorin. Ky ka qenë diskutim-takimi jo në formë të shkruar sepse qëllimi ka qenë vetëm prezantimi i punës, pra të informohet menaxhmenti për punën”, tha dëshmitari.

Sa u përket konsultimeve me Prokurorinë i njëjti ka thënë se ai ishte pajtuar qe të shkojnë në procedurë të cilën e ka zbatuar Njësia e Hetimeve.

“Po, jam i informuar se prokurori është pajtuar që të shkojë në procedurë të cilën e ka zbatuar Njësia e Hetimeve. Konfirmimi nga prokurori Ali Rexha ka ndodhur në një takim që është zhvilluar në ATK, pjesë e takimit besoj qe kemi qenë unë, Safeti dhe prokurori dhe këtë e ka konfirmuar edhe pasi rasti është devijuar në interpretime, në takimin me USAID-in. Jam i bindur se prokurori Rexha është marrë më së shumti me sistemin tatimor”, shtoi ai.

Tutje dëshmitari ka thënë se sistemi tatimor në Kosovë është sistem vullnetar i deklarimit të tatimit dhe tregoi se bizneset janë të obliguara në mënyrë vullnetare të deklarojnë obligimet e tyre saktë dhe në përputhje me ligjin dhe në çdo deklaratë tatimore ceket “tatimpaguesi mban përgjegjësi penale dhe morale për çdo deklaratë”.

Më pas i njëjti ka shtuar se ATK-ja ka bërë punë në mënyrën më të mirë të mundshme, me kapacitetet që ka pasur Njësia  e Hetimeve që kishin qenë në fazën e trajnimit, mendoj se e ka bërë maksimumin, rasti për të cilin diskutohet është prezantuar edhe në Komision Evropian,

Dëshmitari para trupit gjykues ka treguar se Administrata Tatimore e Kosovës nuk ka pasur asnjëherë humbje por vetëm fitime.

“ATK-ja nuk ka pasur asnjëherë humbje, gjithmonë ka fitim, pasi ne humbjet që ka shteti mundohemi t’i kthejmë”, tha dëshmitari.

Kurse për të akuzuarin Krasniqi dëshmitari  tha se me arritjet e tij janë trajtuar shuma raste dhe i njëjti njihet si person i pastër.

“Safeti arriti që t’i japë dinamizëm kësaj Njësie, e cila arriti për një kohë të shkurtër që të trajtojë shumë raste pasi deri në atë kohë ka pasur shumë pak raste. Unë nuk kam parë asnjë ankesë për të. Safeti njihet si njeri i integritetit dhe i pastër”, tha dëshmitari.

Më pas dëshmitari ka shpjeguar se në ATK i kanë dy procedura: kontroll dhe vizitë, në rastet e bizneseve që kanë bërë gabime ata gjithmonë kërkojnë të vetëvlerësohen, është e drejtë dhe obligim i tij ligjor. Të gjithë ata që i kanë kthyer tatimin shtetit ata i kanë kryer edhe obligimet edhe interesat, të gjitha ata që nuk iu kanë bindur është vazhduar procesi i vlerësimit. Ne nuk kemi mundësi 70 mijë tatimpagues t’i kontrollojmë të gjithë, ne shkojmë me risk, pra prej këtij numri i zgjedhim 2 mijë.

Në pyetjen e anëtares së trupit gjykues, gjykatëses Albina Rama, nëse korrigjimi i deklaratave tatimore bëhet me vullnetin e biznesit apo ia propozon ATK-ja, dëshmitari u përgjigj se neni 18 thotë se tatimpaguesi ka të drejtë të bëjë korrigjimin në çdo kohë, qoftë me kërkesën tonë qoftë me korrigjim nënkupton vetëdeklarim.

Ndërsa dëshmitari Bexhet Haliti, i cili kishte qenë drejtor i Departamentit për politika makro-ekonomike në ATK, ka shpjeguar se kishte ndodhur një takim që ishte konkluduar për disa firma të shkonin në korrigjim të atyre faturave dhe sipas tij çdo herë zyrtarët tatimorë  ishin udhëzuar dhe kishin vepruar sipas ligjit.

Tutje ai ka thënë se vitet më të suksesshme në historinë e ATK-së kishin qenë viti 2012-2014.

“Unë mundem me thanë se çdoherë zyrtarët tatimorë janë udhëzuar dhe është vepruar brenda ligjit, dhe një prej parimeve ka qenë strategjia për deklarim vullnetar në mënyre që buxheti i Kosovës me u realizu ashtu siç kemi planifikuar dhe mua si drejtor të gjitha raportet që më janë prezantuar dëshmojnë se kanë qenë vitet më të suksesshme në historinë e ATK-së viti 2012-2014”, tha dëshmitari Haliti.

Kurse në pyetjen e anëtares së trupit gjykues Albina Rama rreth asaj ku Safet Krasniqi dyshohet se u ka mundësuar korrigjimin e deklaratave tatimore disa bizneseve ti si drejtor po thua se qëllimi i ATK-se ka qenë mbledhja e tatimeve qoftë edhe me vetëkorrigjim pasi kanë paguar edhe interes, a ka qenë politikë e ATK-së edhe ky veprim që e ka bërë Safet Krasniqi apo ky është rast tjetër?

“Për mendimin tim, jo që është politikë por është alfa e omega e ATK-së, është vepruar drejtë për disa arsye: e para zëvendësit e mi më kanë inkurajuar me kanë drejtor i përgjithshëm, e kanë pasur obligim me më paralajmëru dhe asnjë veprim nuk është bërë pa dijeni. Unë edhe atëherë edhe sot kisha me gjyku rastin nëse nuk m’i ka trajtu të gjithë drejtë në një veprim, nëse mundësinë që ia ka dhënë X-it ju ka dhënë edhe Y-së, falë asaj pune, për herë të parë Kosova ka ulë evazionin fiskal për 7.2%, është e dhënë zyrtare e FMN-së, për herë të parë raporti i monitorimit e qet se bie numri i ankesave të tatimpaguesve dhe tri vitet që po flasim ka pasur rritje të të hyrave diku prej 2 deri në 3-4 fish”, ishte përgjigjja e  dëshmitarit.

Kurse dëshmitarja Emolinda Zeka, e cila kishte pozitën e hetueses në ATK, ka deklaruar se në vitin 2011 ka qenë pjesë e hetimit për firmën “YLLKA COM”, e cila firmë ishte e dyshuar që ka pasur transaksione fiktive, ndërsa e njëjta ka thënë se për dy bizneset tjera kanë qenë koleget e saj.

“Më 24 gusht 2011, është marrë rasti ‘Yllka Com’ është trajtuar i veçantë, fillimisht ka shkuar në Prokurori Themelore në Prishtinë te prokurori Ali Hajdini, për hapjen e hetimit dhe grumbullimin e fakteve të cilat janë relevante për takimin, më 12.10.2011 menaxhmenti i ATK-së (Safet Krasniqi, Kadri Gashi dhe prokurori Ali Hajdini), kemi mbajt takim në zyrë dhe është vendosur që të trajtohet si një rast i veçantë pasi kanë qenë të ndërlidhura transaksionet mes vete, takimet janë mbajtur në zyrë të NJHT-së, pra është vendos që lënda “Yllka Com” të bashkohet edhe me dy biznese të tjera”, tha dëshmitarja Zeka.

Tutje ajo ka shpjeguar se të gjitha faturat  kishin qenë të ndërlidhura me ato 5 firma, ku ka  treguar se prokurori Ali Rexha kishte vendosur t’i zgjerojë hetimet edhe për bizneset e tjera ku kishte qenë “Liburnia Impex”, “Cimi Comerc”, “Theranda”, dhe “Anex”.

Më pas e njëjta ka thënë se hetim nuk ka pasur për të gjitha bizneset dhe se prokurori i rastit kishte qenë në dijeni për të gjitha veprimet qe i kishin ndërmarrë hetuesit tatimorë.

“Jo të gjitha bizneseve u është iniciuar hetim, ka pasur biznese ku prokurori ka qenë i njoftuar për të gjitha veprimet që janë ndërmarrë në atë rast, ka pasur biznese që nuk janë hapur hetime, është vazhduar vetëm me ato, me të cilat biznese ato kanë qenë të gjitha në prokurori”, tha dëshmitarja.

Më pas dëshmitarja Zeka ka thënë se gjithmonë në konsultë me prokurorin Rexha kishin bërë vizitat nëpër biznese.

“Ne kemi bërë vizita të bizneseve me konsultë të prokurorit, kur e kemi prezantuar te prokurori dokumentacionin që e kemi mbledh, prokurori ka thënë të mblidhet hetimit përderisa nuk ka hetim për këto biznese, të vizitohen dhe të mos lihen bizneset e tjera që të mos mund t’i shfrytëzojnë këto fatura. Këtë e ka thënë me gojë, ne jemi konsultuar me udhëheqësin e ekipit, drejtori ka qenë në njohuri, çka ka pasë prokurori ka pasur edhe hierarkia e ATK-së, janë përcjellë të gjitha bizneset tek udhëheqësi, tek drejtori, me të gjitha faturat e dyshimta” shtoi ajo.

Tutje dëshmitarja ka shpjeguar se bizneset ishin vizituar në bazë të listës dhe se nuk kishte pasur ndarje të inspektorëve, ku kishte qenë një listë me tri ekipe dhe se e njëjta kishte bërë vizitë tek tri biznese, ku kishin shikuar se a i kanë përdorur ato fatura në libra dhe se a kishin shfrytëzuar ato fatura fiktive.

Dëshmitarja Zeka më pas tha se atyre bizneseve u kishin lëshuar një gjobë për ato fatura të cilat i kishin përdorur bizneset dhe sipas saj menaxhmeti për secilin veprim kishte qenë i njoftuar dhe se bizneset kishin paguar tatim për shfrytëzimin e atyre faturave.

A e ke pasur ti si inspektore hetuese ndonjë dyshim se është kryer një vepër penale u pyet dëshmitarja nga prokurori. “Në këto raste e njofton menaxhmentin dhe prokurorin të cilët edhe i kam njoftuar, e kam njoftuar Kadri Gashin, Safet Krasniqin dhe prokurorin”, tha dëshmitarja.

Dëshmitarja më pas ka treguar se prokurori Ali Rexha u kishte thënë  t’i mbledhin tatimet prej bizneseve të cilat i kishin shfrytëzuar ato fatura. Dhe sipas saj neni 64 nuk është shkelur për një arsye, sepse nuk kishte pasur hetim të hapur edhe pse kishin qenë të njoftuar të gjithë, dhe ka treguar se nuk ka pasur kontrolle administrative ku kjo i jep të drejtë tatimpaguesit për korrigjimin e faturave.

Tutje e njëjta ka thënë se ATK-ja, ka pasur të hyra të mira, dhe e gjithë kjo ka qenë një mësim për bizneset e tjera.

“Mendoj se ka pasur të hyra të mira dhe mendoj se ka qenë rast i mirë me ju tregu edhe bizneseve tjera lidhur me këto fatura fiktive, pasi bizneset nuk kanë qenë në njohuri që mujt  me ble e me shit fatura”, tha dëshmitarja Zeka.

Sipas Prokurorisë Speciale, Safet Krasniqi, akuzohet se edhe pse ka qenë në dijeni se shumë biznese po u shmangeshin tatimeve duke u përfshirë në transaksione dhe fatura fiktive nuk kishte ndërmarrë veprime të kontrolleve, vizitave dhe nuk ka iniciuar procedura penale ndaj atyre bizneseve

Madje, sipas Prokurorisë, ai u kishte mundësuar këtyre bizneseve që të bëjnë korrigjimin e deklarimeve tatimore edhe pse ka qenë në dijeni se një veprim i tillë ishte i kundërligjshëm.

Dëmi të cilin Krasniqi akuzohet t`i ketë shkaktuar ATK-së është mbi 883 mijë euro.

Ky skandal ishte zbuluar nga hulumtimi i emisionit “Jeta në Kosovë“.

Rasti ishte zbuluar pasi Murat Mehmeti, zyrtar hetues në ATK, kishte rrëfyer se si kanë arritur disa biznese të udhëhequra nga një kontabilist t’u ikin pagesave tatimore duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës dëme në vlerë të miliona eurove.

Pas këtij zbulimi Murat Mehmeti është përballur me presione dhe transfere në punën e tij.

Gjykimi i ish-shefit të Hetimeve të ATK-së, dëshmitari tregon si e zbuloi aferën që buxhetit të Kosovës i kushtoi miliona euro