Begolli: Nuk i kemi pasë hidrocentralet hiç në fokus

Problematika mjedisore në vazhdën e kërkesave për energji nga burimet e ripërtëritshme në Kosovë tani do të fillojë të ketë fokus edhe në Këshillin ndërministror për ujëra.

Kështu tha Baton Begolli nga ky Këshill që po ashtu u shpreh i shqetësuar nga provat vizuele të një aktivisti mbi dëmin mjedisor që po shkakton një kompani me ndërtimin e hidrocentralit në Deçan.

‘Nuk i kemi pasë hidrocentralet hiç në fokus, sepse si kemi pasur as në përgjegjësi. Tash fokusi është duke u drejtuar kah resurset ujore. Ne nuk e kemi pasur këtë përgjegjësi por nuk do të thotë se i kemi ikë. E kemi marrë një vendim të krijojmë një bazë ligjore për hidrocentrale. Sepse raportimet sikurse ky anonimus i Austrisë sepse në shtet të vetin nuk kish me guxu me i bo ato, por s’ka faj, ka faj pronari i aseteve”, tha Begolli.

Në pyetjen a ka Kosova ujë të mjaftueshëm për hidrocentrale, Begolli theksoi se nuk ekziston një përgjigje e thjeshtë. Sipas tij duhet të shikohet edhe aspekti mjedisor i hidrocentraleve.

Çështja e ndërtimit të hidrocentraleve u debatua në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, të moderuar nga Jeta Xharra.

Pjesëmarrës në debat ishin: Besfort Kosova nga KOSID, Gani Berisha nga Ministria e Ambientit, Ellen Frank – Organizata Era Group, Adriatik Gacaferi aktivist nga Deçani, Bledor Tolaj, banor, Bekim Shyti nga Shoqata per energji te ripërteritshme, Baton Begolli nga Këshilli ndër-ministror për ujë e të tjerë…

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: