Gjykimi për terrorizëm | Foto: KALLXO.com

Avokati në Gjykimin për Terrorizëm: Uniformat Mund të Blihen në Dyqane

Në gjykimin për terrorizëm avokati Besnik Berisha tha se uniforma ushtarake me të cilën është i veshur i mbrojturi i tij mund të blihet edhe në dyqane në Prishtinë.

Avokati i të akuzuarit Hadi Nura, Besnik Berisha, kërkoi nga prokurori special Abdurrahim Islami që t’i sigurohen të gjitha provat të cilat janë marrë nga pajisjet elektronike në shtëpinë e të mbrojturit të tij.

Berisha pretendon se një fotografi ku Nura shihet me uniformë ushtarake është bërë para shtëpisë së tij kur i akuzuari po shkonte për gjah.

Kjo fotografi është pranuar si provë në gjykimin e Nurës dhe të tjerëve.

“Gjykatës i propozojmë që të ftohet eksperti ushtarak apo i çështjes së sigurisë për ta vërtetuar nëse uniforma në foto u takon grupeve terroriste ISIS ose Al Nusra siç thotë prokuroria, apo është një uniformë e cila blihet në ‘Melodia PX’ në Prishtinë, e të cilën e veshin së paku 3000 gjuetarë të licencuar në Republikën e Kosovës”, tha Berisha.

Përveç kësaj, avokatët mbrojtës kërkuan që për të dëshmuar të ftohet përsëri eksperti nga Drejtoria Teknike- Kriminalistike e Policisë së Kosovës, Ardian Krasniqi, i cili kishte dëshmuar edhe në një seancë më herët.

Por, prokurori Islami u kundërpërgjigj duke deklaruar se asnjëherë nuk ka thënë se është uniformë e ushtrisë, por se mund të jetë një e tillë.

“Unë nuk kam thënë asnjëherë, unë e di që kam thënë mund të jetë uniformë e ushtrisë. Unë nuk e shoh të arsyeshme të ftohet ky ekspert ushtarak. Sa i përket ekspertit- dëshmitarit Ardian Krasniqi, s’e shoh të arsyeshme, sepse i akuzuari Hadi Nura nuk është ngarkuar vetëm për shkak të asaj fotografie”, tha prokurori Islami.

Në fund, trupi gjykues refuzoi të gjitha propozimet e avokatëve mbrojtës për dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar, kështu duke vendosur që të procedohet me marrjen në pyetje të të akuzuarve.

Seanca e radhës u caktua për datën 17 prill.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë më datën 7 maj 2015 ndaj Kujtim Bytyqit, Hadi Nurës, Besim Shabanit, Betim Ibrahimajt, Adil Bushit, Egzon Latifit, Jetmir Bushit, Artan Kadriut, Bekim Halilit, Zijadin Berishës dhe Jeton Hajdinit.

Hadi Nura, Besim Shabani, Betim Ibrahimaj, Adil Bushi, Egzon Latifi, Jetmir Bushi, Artan Kadriu, Bekim Halili, Zijadin Berisha dhe Jeton Hajdini nga prokuroria akuzohen për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, ndërsa Kujtim Bytyqi është i akuzuar për armëmbajtje pa leje.

Edhe Bekim Halili e Zijadin Berisha, përpos për pjesëmarrje në grupe terroriste ngarkohen edhe për armëmbajtje pa leje.

Në seancat e kaluara, Artan Kadriu, Zijadin Berisha, Betim Ibrahimaj dhe Adil Bushi kanë pranuar fajësinë për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Ndërsa Kujtim Bytyqi kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje, pjesërisht e kishin pranuar fajësinë në seancat e kaluara edhe Bekim Halili dhe Zijadin Berisha vetëm për armëmbajtje pa leje.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.