Autostrada për Shkup, Përurohet Edhe ‘Një Copë Udhë’

Krerë shtetërorë dhe diplomatë të huaj e kanë ndjekur kampionen olimpike Majlinda Kelmendi teksa preu shiritin për lirimin për qarkullim edhe të një pjese të autostradës “Arbër Xhaferi” e cila lidh Kosovën me Maqedoninë.

Sot është përuruar edhe një segment i kësaj autostrade deri në fshatin Bibaj të Ferizajt, ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj është shprehur optimist se i gjithë projekti mund të përfundojë gjatë vitit të ardhshëm.

“Shumë punë, shumë mund, shumë angazhim, shumë ekspertizë për standarde euro atlantike. Jam thellë i bindur që vitin që vjen do të mbyllet e tërë autorruga dhe Shkupi do të jetë shumë më afër për Prishtinën”, tha Haradinaj.

Presidenti Hashim Thaçi tha se kjo autostradë është “përpjekje e kahmotshme e punës së përbashkët të te gjithë njerëzve vullnetmirë”.

Ndërsa ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj tha se kjo autostradë “është një korridor i rëndësishëm që na lidh me shtetet fqinje”.