Zyrtarë të Policisë në një aksion - Foto: Policia e Shtetit (foto arkiv)

Arrestohet në Pogradec ish-Xhihadisti i Plagosur në Siri

Policia e Shtetit njoftoi për arrestimin e 29-vjeçarit Ervin Duka, ish-xhihadist i luftës në Siri, pasi gjatë një kontrolli në shtëpinë e tij në fshatin Guras të Pogradecit u gjetën “një kallëp i dyshuar tritoli dhe 89 fishekë model 54”.

Në një njoftim për mediat, Policia tha se Duka akuzohet për veprën penale të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, e parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal.

Ervin Duka është një personazh i njohur i strukturave të Antiterrorit në Shqipëri, pasi emri i tij gjendet në listën e mbi 100 shqiptarëve që iu bashkuan organizatave terroriste “Al Nusra” dhe “ISIS”, të cilat po luftojnë për krijimin e një shteti islamik në Siri dhe Irak. Sipas dokumenteve që BIRN disponon, Duka u largua drejt Sirisë në shkurt të vitit 2013 dhe është njëri prej 12 të plagosurve shqiptarë gjatë luftimeve atje. Ai është kthyer nga Siria në Larisa të Greqisë, ku është kuruar për disa muaj dhe prej vitit 2015 qëndronte në shtëpinë e tij në fshatin Guras.

Gurasi është njëri prej tre fshatrave të Pogradecit që ka eksportuar luftëtarë drejt Sirisë. Bashkë me fshatrat Leshnicë dhe Rrëmenj, Pogradeci numëron 24 banorë të larguar drejt Sirisë në vitet 2012-2014, mes të cilëve edhe gra e fëmijë.

Arrestimi i Dukës u realizua në prag të ndeshjes Shqipëri-Izrael, ngjarje që ka rritur nivelin e alarmit mes strukturave të sigurisë. E parashikuar për t’u luajtur fillimisht në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, ndeshja u zhvillua të shtunën në stadiumin e Elbasanit për shkak të informacioneve për një rrezik të mundshëm ndaj një sulmi të dyshuar terrorist.

Katër persona – mes të cilëve edhe një ish-luftëtar i kthyer nga Siria u arrestuan pak ditë më parë në Shkodër dhe në Dibër, pasi dyshohet se në bashkëpunim me shtetas nga Kosova, po bënin plane për sulme të mundshme të dhunshme. Xhezair Fishta, një imam i vetëshpallur, Ergys Faslija, Bekim Protopapa dhe Medat Hasani u akuzuan nga Prokuroria për tre vepra penale që lidhen me nxitjen dhe kryerjen e veprave penale për qëllime terroriste. Të katërt ata i kanë mohuar akuzat para Gjykatës së Krimeve të Rënda, ndërsa pohuan se “po persekutoheshin për shkak të besimit të tyre”.