ILUSTRIM: Arrestimi i një të dyshuari- Policia e Kosovës

Arrestohen dy të dyshuar për disa grabitje në Prishtinë

Dy persona janë arrestuar ndërsa dy të tjerë janë identifikuar dhe gjenden në arrati për disa grabitje të ndodhura në kryeqytet.

Policia ka njoftuar se nga një operacion për të cilin kanë punuar hetuesit rajonalë dhe me ata të stacioneve të tjera të Policisë në Rajonin e Prishtinës, kanë arrestuar dy persona të dyshuar 21 vjeçarin R.C. dhe 21-vjeçarin A.M. për disa raste të grabitjeve që kanë ndodhur në Prishtinë.

E gjithë ky operacion u bë pas shqetësimeve të fundit dhe rastet e fundit në lidhje me rastet e grabitjeve të ndodhura në markete, pompa derivatesh, institucione mikrofinanciare dhe në zona të ndryshme të rajonit të Prishtinës.

Gjithashtu, Policia ka konfiskuar një veturë të tipit “Shkoda”, e cila dyshohet se është përdorur në njërin nga rastet e grabitjeve.

Po ashtu pjesë e operacionit ka qenë edhe bastisja e shtëpive të të dyshuarve,  ku Policia  ka gjetur dhe konfiskuar telefona celularë si dhe disa dëshmi të tjera që mund të lidhen me rastet.

“Me urdhër të prokurorit pas intervistimit janë dërguar në qendrën e mbajtjes në Prishtinë, ku aktualisht hetuesit po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore e procedurale lidhur me rastet në fjalë para se rastet t’i kalojnë gjykatës”, thuhet në njoftimin e Policisë.