PDK: Qeveria Hoti përgjegjëse për përkeqësimin e gjendjes së sigurisë në Kosovë

Partia Demokratike e Kosovës e bën përgjegjëse qeverisjen e LDK-së për përkeqësimin e sigurisë në Kosovë, për të cilën thotë se nuk janë serioz karshi situatës.

“Brenda tri ditëve u raportua për disa vjedhje e grabitje bankash e biznesesh, e deri edhe te arkat humanitare të vendosura tek bizneset e ndryshme dhe libraritë. Në këto akte, u plagos një polic nga grabitësit dhe u rrezikuan dhjetëra qytetarë të Kosovës”, tha në një konferencë për media deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.

Musliu tha edhe se nëse ky trend vazhdon, Kosova do të hyjë në një cikël të rrezikshëm të pasigurisë dhe të mbylljes të bizneseve.

“Askush nuk do të ketë interesim e as guxim të investojë më në Kosovë nëse nuk ka siguri për jetën e tij, pronën dhe pasurinë”, ka thënë tutje Musliu.

Musliu tha tutje edhe se menaxhimi i sektorit të sigurisë ka degraduar ndërsa kjo filloi me ish-Qeverinë e Albin Kurtit ndërsa po vazhdon edhe në qeverisjen e Avdullah Hotit.

“Degradimi në raport me menaxhimin e këtij sektori filloi me ish-Qeverinë Kurti e po vazhdon me intensitet nga kjo qeveri e lodhtë dhe ky kryeministër kukull. Vendi jonë çdo ditë është duke rrëshqitur në një rrugë të rrezikshme të pasigurisë. Veçmas është krijuar pasiguri e madhe, kur jemi në prag të festave të fundvitit”, ka thënë Musliu para gazetarëve,

Tutje ajo shtoi se shkarkimet që po ndodhin në institucionet e sigurisë kanë krijuar mungesë të autoritetit shtetëror.

“Shkarkimi i zyrtarëve profesionist nga udhëheqja e institucioneve të pavarura e kredibile, dhe mungesa e një plani se çfarë do të veprohet konkretisht në situata dhe rrethana te caktuara, ka krijuar vakum institucional dhe mungesë të autoritetit përkatës shtetëror”, ka thënë tutje Musliu.

Madje Ganimete Musliu tha se i vetmi plan i kryeministrit Hoti dhe LDK-së që është në qeverisje, është që të kap institucionet kryesore në vend dhe të vendos në krye të tyre njerëz partiakë e të padijshëm.

“Vendi jonë duke kaluar në një krizë të rëndë ekonomike është shndërruar në një arenë vjedhjesh dhe grabitjesh të rrezikshme”, tha Musliu.

Musliu tha se raportimet e fundit për vjedhjet dhe grabitjet, janë shqetësim që siguria e Kosovës po kalon në duart e siç i quan ajo gangsterëve.

“Qeveria Hoti është duke bërë përpjekje maksimale që të fshihet mbrapa një sjellje viktimizuese. Ajo të vetmin qëllim e ka që nesër ta fajësojë dikë tjetër edhe për dështimet në fushën e sigurisë.  Mirëpo përgjegjësia i takon kësaj qeverie. Kjo qeveri e lodhtë dhe ky kryeministër anemik në dukje, e tepër arrogant në veprime, duhet menjëherë ta ndërprenë mentalitetin primitiv të përndjekjeve dhe të shkarkimeve pa kurrfarë kriteri”, shtoi Musliu.

Ajo tha edhe se Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësim për gjendjen  e sigurisë në vend, vjedhjet, grabitjet dhe plaçkitjet e shumta që kanë ndodhë e po ndodhin çdo ditë duke e rënduar jetën e qytetarëve dhe duke e sfiduar durimin e tyre.

“PDK konsideron se kjo qeveri e lodhtë është e paaftë për të menaxhuar me këtë fushë. PDK kërkon nga qeveria Hoti që me urgjencë të ndërprerje këtë mënyrë të të bërit politike dhe ti mbaj larg duart nga institucionet vitale dhe të pavarura të shtetit. PDK kërkon që urgjentisht të dilet me një plan konkret dhe të ndalet degradimi dhe abuzimi me sistemin e sigurisë në vend”, tha Musliu.

Ajo theksoi se degradimi në organet e sigurisë po ndodh për shkak se po largohen siç i ka quajtur ajo ekspertët dhe profesionistët ndërsa në vend të tyre po vendosen njerëz të paaftë dhe jokompetentë.

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht për një sërë grabitjesh të cilat kanë ndodhur ditëve të fundit.

Madje një zyrtar policor është plagosur në këmbë nga grabitja e cila ndodhi në një pikë të një banke në Veternik.

Kujtojmë se një zyrtar policor kishte vdekur si pasojë e plagëve të marra nga një person i dyshuar i cili kishte tentuar të grabiste një bankë në Istog, në fund të vitit 2018.