Ilustrim - Policia e Kosovës në aksion - Foto: KALLXO.com

Grabitjet e fundit, policia i nxjerr "Specialët" në rrugë

Në një bisedë për KALLXO.com ushtruesi i detyrës së drejtorit të policisë  Samedin Mehmeti ka paralajmëruar masa shtesë pas rasteve të fundit të grabitjes.

Mehmeti ka treguar se njësitë speciale janë vënë në lëvizje e po ashtu hapësirat ku janë të vendosura bankomatet janë duke u mbikëqyrur me polic civil.

“Policia e Kosovës është e involvuar plotësisht në gjetjen e grabitëseve, është duke u bë punë operative, të njësisë speciale, të atyre me armë të gjata, patrullave edhe vendosjen e tyre afër bankomatave, institucioneve mikrofinanciare, bankave, mirëpo edhe vendosja e policisëve me rroba civile, por edhe duke i vëshgu zonat e caktuar që mundet me ndodhë ose ku kanë ndodhur. Jemi të angazhuar me një numër të madh të oficierëve me COVID-19, por kjo përkundrazi nuk do të thotë mos të merremi me vepra të tjera”, deklaroi Mehmeti.

Ai ka sqarauar se numri i vjedhjeve dhe grabitjeve ka rënë në vitin e fundit.

“Gjatë tri viteve të fundit, në Kosovë është paraqitur një fenomen i grabitjeve të armatosuara apo ku ka ardh në shprehje më shumë dhuna se në vitet e kaluara. Ky trend ka vazhduar edhe këtë vit, edhe fatkeqësisht, edhe pikë të ditës kur ka frekuentim të njerëzve dhe patrullave të Policisë. Trendi këtë vit është në rënie, se vitin e kalum. Mirëpo, kjo nuk dmth që duhet me na gëzu shumë. Kemi arritë me i idenfiku për disa persona, por jo me i arrestu”, u shpreh ai.

 

 

Gjatë javëve të fundit kanë ndodhur disa grabitje, kryesisht në institucionet mikrofinanciare në kryeqytet.

Në një rast, ka pasur edhe gjuatje me armë zjarri në drejtim të patrullës së Policisë dhe një plagosje e një roje.