foto: Ilustrim

Policia e Kosovës: Sivjet më pak raste të krimit se vitin e kaluar e më shumë persona të arrestuar

Policia e Kosovës me anë të një njoftimi ka treguar se në përgjithësi numri i vjedhjeve të lehta dhe të rënda këtë vit është më i ulët sesa vitin e kaluar ndërsa numri i të arrestuarve është më i lartë.

Ky njoftim i Policisë së Kosovës erdhi vetëm disa orë pas konferencës së Partisë Demokratike të Kosovës, e cila tha se gjendja e sigurisë në Kosovë nuk është në nivelin e duhur.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, madje tha se përgjegjëse për këtë gjendje të sigurisë në Kosovë është qeverisja e LDK-së.

Policia e Kosovës ka thënë se veprat penale këtë vit kanë pasur një rënie nga periudha e njëjtë e vitit të kaluar.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, duke bërë krahasimin mes këtij viti dhe vitit të kaluar në bazë të rasteve të iniciuara për vepra ka pasur një rënie për 6.15 për qind.

Pra vetëm këtë vit janë iniciuar 23 mijë e 114 raste të veprave penale ndërsa vitin e kaluar në periudhën e njëjtë ishin raportuar 24 mijë e 631 vepra penale.

Madje Policia e Kosovës ka njoftuar se numri i grabitjeve ka pasur ulje në krahasim me vitin e kaluar. Sipas PK-së, vitin e kaluar janë raportuar 147 raste të grabitjeve ndërsa këtë vit 127.

“Veprat penale kundër pasurisë kanë shënuar një ulje të ndjeshme, numri i vjedhjeve ka shënuar ulje, nga 4131 në 3492 ose -15.46%, numri i vjedhjeve të rënda  ka shënuar ulje, nga  3421 në 3030 ose -11.42 %, numri i rasteve grabitje ka shënuar ulje nga 147 në 127 ose -13.60%”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia gjithashtu ka njoftuar se numri i personave të cilët janë dërguar në mbajtje është 3 mijë e 870 ose 9.87 për qind më i lartë se vitin e kaluar.

“Policia e Kosovës, në zbatim të detyrave të saja, në realizim të Planit të Punës, gjatë kësaj periudhe ka arrestuar 9715 të dyshuar, ose 12.71% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, thuhet në njoftimin e policisë për personat e arrestuar gjatë kësaj periudhe të këtij viti.

Në përgjithësi Policia në njoftim ka thënë se parametrat e matjes së krimit në përgjithësi duke bërë krahasimin me vitin e kaluar, dalin se këtë vit ka rënie të aktiviteteve kriminale në Kosovë.

PDK: Qeveria Hoti përgjegjëse për përkeqësimin e gjendjes së sigurisë në Kosovë