Arrestohen 6 të Dyshuar të ISIS-it në Bosnjë

Gjashtë shtetas të Bosnjës të dyshuar se kanë lidhje me ISIS-in janë arrestuar në një seri operacionesh policore, kanë raportuar mediat boshnjake të hënën.

Një nga ta është arrestuar në Turqi derisa dyshohej se po shkonte në Siri për t’iu bashkuar militantëve të ISIS-it, mediat boshnjake cituan të ketë thënë prokuroria shtetërore.

Senad Kostac, një 23 vjeçar nga Velika Kladusha në veriperëndim të Bosnjës, kishte udhëtuar nga Mali i Zi në Turqi dhe synonte të shkonte për të luftuar në Siri, thonë raportet.

Kostac ishte kthyer në Mal të Zi dhe më pas i është dorëzuar prokurorisë së Bosnjës për t’u intervistuar. Avokati i tij, Elvir Grabanoviq, tha për sajtin sarajevas Klix se kishte kërkuar që klienti i tij të mbrohet në liri.

“Po presim që gjykata të vendosë për këtë rast të martën”, tha ai.

Sipas policisë, dy persona tjerë që kishin lidhje me Kostacin u arrestuan të dielën nga Agjensia Shtetërore e Hetimit (SIPA) në pikën kufitare Hum- Scepan ndërmjet Bosnjës dhe Malit të Zi.

Në një aksion të ndarë, SIPA arrestoi edhe tre persona tjerë nga Velika Kladusha të hënën pasdite.

Sipas kësaj agjensie, policia gjatë arrestimeve ka gjetur sasi të madhe të granatave të dorës, mina tokësore, municion, armë, eksplozivë dhe një flamur të ISIS-it.

Të gjashtë të dyshuarit akuzohen për formim të grupeve paramilitare dhe bashkim në njësite tjera në vende të huaja.

Ky është aksioni i dytë i madh policor kundër shtetasve boshnjakë të dyshuar për lidhje me ISIS në javët e fundit.

Më 22 dhjetor, policia e Bosnjës kishte arrestuar 11 persona të dyshuar për nxitje të terrorizmit dhe rekrutim të xhihadistëve duke thënë se ata po planifikonin një sulm të madh terrorist në prag të Vitit të Ri.