Arrestimet Ringjallin Polemikat Vetëvendosje- Polici

Një aksion i gjerë arrestimesh ndaj zyrtarëve dhe aktivistëve të lëvizjes Vetëvendosje i nisur nga Policia e Kosovës në mëngjesin e sotëm ka ngjallur sërish polemikat ndërmjet këtij subjekti politik dhe organeve të rendit.

Visar Ymeri, kryetar i Vetëvendosjes nisi valën e akuzave ndaj policisë dhe drejtuesve të qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa e Hashim Thaçi, duke i akuzuar ata për “vazhdim të fushatës së përndjekjeve dhe arrestimeve të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendsoje”.

Ymeri u shpreh se gjatë natës, fshehtazi, Policia, të cilën ai e quajti si të Mustafës dhe Thaçit, e urdhëruar nga EULEX-i, hyri në shtëpitë e shumë aktivistëve për t’i arrestuar ata.

“Pas propagandës e shpifjeve policeske se kinse paskan informata për përgatitjen e akteve të dhunës në protestë, ata vazhduan me aksionin e tyre policor për të mbjellë frikë”, tha Ymeri duke u ndërlidhur me protestën e nesërme të opozitës në sheshin kryesor të Prishtinës.

Tetë aktivistë të Vetëvendosjes janë arrestuar sot nga Policia pasi akuzohen se në vitin 2009 kanë demoluar veturat e EULEX-it. Në mesin e tyre është edhe shefi i Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca dhe zëdhënësi Frashër Krasniqi.

http://kallxo.com/aksion-masiv-i-policise-arrestohet-glauk-konjufca/

Por policia ka reaguar ndaj deklaratave të Ymerit.

“Detyrat dhe autorizimet policore janë të përcaktuara me ligjin e Policisë dhe Kushtetutën, prandaj çdo veprim i yni realizohet në pajtim me procedurat dhe rregullat e parapara ligjore, duke përfshirë edhe urdhëresat e organeve kompetente të drejtësisë”, thuhet në reagimin e Policisë.

Deklaratat e Ymerit policia i konsideron si “nxitëse dhe qëllimkëqija” për të krijuar përshtypje të vrazhdë ndaj organeve të rendit.

Ndërsa EULEX ka mohuar të ketë qenë i përzier në arrestimet e sotme.

“Pas raportimeve të mediave për arrestimet e fundit të aktivistëve të vetëvendosjes, EULEX thekson se nuk ka qenë i përfshirë në këto aksione. Këto arrestime janë bërë nga Policia e Kosovës në bazë të urdhrit nga një gjykatës vendor në Gjykatën Themelore të Prishtinës”, thuhet në reagimin e EULEX-it.