Avokati Arianit Koci, Foto: Gazeta Jeta në Kosovë

Arianit Koci: Po ndihem i Kërcënuar nga Prokurori

Koci në këtë proces mbron Endrit Shalën, ndërsa prokuror është Charles Hardaway.

Avokati Koci kërkoi mbrojtje nga gjykata, ndërsa propozoi që gjykimi të monitorohet nga kamerat.

“Unë po e ndi veten të kërcënuar nga prokurori, unë nuk e ndjej veten të lirë me mbrojtë klientin tim, nuk më ka ndodhë më parë në karrierën time,  po frikësohem për çdo fjalë që e them dhe jam duke e konsideruar seriozisht që të tërhiqem nga mbrojtja. Kërkoj nga ju si gjykatë të më mbroni mua ta kryej detyrën time,” tha Koci

Prokurori Hardaway e cilësoi deklaratën e avokatit si ndikuese në medie.

“ Fjalimi i zotëriut Koci do të dalë mirë para shtypit pasdite, ndoshta në faqen e parë,” tha prokurori Hardaway.

E gjithë kjo ndodhi pasi pas çdo pyetjeje që bënte prokurori për dëshmitarin Izmi Zeka në lidhje me leximin e disa sms-ve që prokuroria pretendon se kanë qenë në mes të të akuzuarve Endrit Shala dhe Florim Zukës, kundërshtoheshin nga Koci, ndërsa prokurori kundërshtimet e shpeshta i shihte si ndikim të dëshmitarit.

Koci tha se kurrë atij nuk i është thënë se po e udhëheq dikë.

Gjykata është dashur që ta largojë tri herë nga salla dëshmitarin, në mënyrë që të konsultohet me palët për rrjedhën e gjykimit për të mos pasur pengesa në zhvillimin e procedurës gjatë dëgjimit të Izmi Zekës. dëshmitari.

Çështja e mediave u bë temë diskutimi edhe kur prokurori deshi të dijë nga dëshmitari Zeka, që në vitin 2009 ka qenë kryetar i degës së PDK-së në Gjilan, se si kjo degë ka mbledhur të hyra dhe se a ka pasur ndonjë kompani nga Gjilani që ka dhënë kontribut për PDK-në.

Koci e kundërshtoj pyetjen e tillë duke thënë se objekt i akuzës nuk është PDK-ja, ndërsa prokurori edhe këtë deklaratë e quajti mediale.

“ Sonte në media do të jetë kryetitull ‘PDK-ja nën sulm’,” u shpreh duke qeshur  prokurori.

Ndërkaq dëshmitari u përgjigj se për të gjitha të dhënat për të hyrat që kanë marrë ata si degë i kanë dërguar në KQZ.

Edhe i akuzuari Endrit Shala gjatë gjykimit i kundërshtoi pyetjet e prokurorit drejtuar dëshmitarit Zeka, duke thënë se prokurori është duke bërë vetëm lajme.

“Prokurori që gjashtë vjet është duke folur për mediat, duke bërë vetëm lajme,” tha Shala.

Përgjigjja e prokurorit ishte se ai nuk komunikon me mediat dhe se  i vetmi komunikim me mediat është në sallat e  gjykimit.

“Komunikimi i vetëm që bëhet me mediat është në këto 4 mure të sallës së gjykimit,” tha prokurori

Seanca e radhës u caktua më 26 maj.

Në këtë proces gjyqësor Fatmir Limaj akuzohet për shpërdorim detyre dhe krim të organizuar lidhur me tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve në Komunën e Gjilanit. Për të njëjtat vepra ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku e Florim Zuka.

Limaj këtë aktakuzë që nga EULEX-i quhet e konsoliduar pasi në të janë bashkuar rastet MTPT1 dhe 2 më 30 tetor të vitit të kaluar e cilësoi të ngritur me urdhër politik.