Apostolova: Kosova vend transit i trafikimit me qenie njerëzore

Dita e Bashkimit Evropian Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore është shënuar sot edhe në Kosovë. Me këtë rast është organizuar tryezë diskutimi nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ishte i pranishëm në këtë konferencë ku falënderoi Bashkim Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës.

“Sot po shënojmë ditën e Bashkimit Evropian për trafikimin e qenieve njerëzore, trafikimi i qenieve njerëzore tund themelet e BE dhe ndikon shumë në rritjen e dukurive negative. Falënderoj BE dhe Shtetet e Bashkuara për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës për luftimin e këtyre dukurive”, tha Thaçi.

Presidenti po ashtu ftoi të gjithë që të luftojnë bashkërisht këtë krim.

“Organet e rendit kanë janë munduar të ndalojnë tërësisht transportin ilegal të qytetarëve nëpër vendet e Bashkimit Evropian, ne kemi bashkëpunuar me organet e rendit për t’i luftuar këto, jam i lumtur që luftimi i trafikimit me qenie njerëzore ka hapur rrugë për liberalizimin e vizave, ne kemi ndjeshmëri për trafikimin e qenieve njerëzore, ne sot jemi te obliguar moralisht të luftojmë pa kompromis kriminelët, ftoj të gjithë të bëhemi pjesë e kësaj lufte”, shtoi Thaçi.

I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe kryeministri, Ramush Haradinaj.

Haradinaj tha se Kosova duhet të jetë pjesë e vendeve ku luftohet trafikimi i qenieve njerëzore

“Kosova duhet të bëhet pjesë e vendeve që e luftojnë trafikimin e qenieve njerëzore, meqenëse  presidenti i foli disa gjëra, Kosova është duke zbatuar strategjinë 2016-2019 për luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore, prokuroria e Shtetit ka trashëguar 38 raste me 66 persona dhe ka pranuar 11 raste të reja me 15 persona. Prokuroria gjatë kësaj periudhe ka punuar gjithsejtë me 49 raste ligjore me 31 persona, nga të cilat i ka zgjidhur 14 raste me 24 persona, ndërsa kanë përfunduar 35 raste tjera me 52 persona”, tha Haradinaj.

Po ashtu kryeministri shtoi se në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, Kosova ka nënshkruar protokollin bashkëpunues mes Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Gjithashtu, Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore në këtë periudhë kohore, me qëllim të identifikimit dhe hetimit të rasteve, ka zhvilluar 21 plane operative, 20 operacione për zbatim të rasteve, 10 operacione të përbashkëta me inspektorët komunalë të punës në Administratën Tatimore të Kosovës, si dhe 18 operacione me njësi të tjera policore.

Shefja e zyrës së BE në Kosovë, Nataliya Apostolova tha se trafikimi i vajzave dhe grave është më i përhapur në të gjithë botën.

Apostolova shtoi se Kosova është vend transit i trafikimit me qenie njerëzore.

“Kjo ditë e luftimit të trafikimit të qenieve njerëzore është shumë e rëndësishme, për BE është e rëndësishme luftimi i trafikimit të qenieve njerëzore dhe shkelja e të drejtave të njeriut , çdo shtet është i prekur me trafikimin e qenieve njerëzore. Trafikimi dhe shkelja e të drejtave të njeriut është duke prekur grupe të ndryshme të shoqërisë duke përfshirë edhe fëmijët. Trafikimi shkatërron jetët tona dhe të ardhmen tonë. Identifikimi i trafikantëve nuk është i lehtë. Trafikimi i grave dhe vajzave është më i përhapur në botë, sidoqoftë shpresojmë se organet e rendit do të luftojnë krimin e trafikimit të qenieve njerëzore”, tha Apostolova.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, tha se institucionet e Republikës së Kosovës, gjithherë kanë treguar një gatishmëri në gjetjen e metodave sa më adekuate për luftimin e trafikimit me qenie njerëzore.

Kurse Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se luftimi i trafikimit të qenieve njerëzore është prioritet i BE dhe ministrisë që ai udhëheq

“Trafikimi i qenieve njerëzore është prioritet i BE, shteteve anëtare dhe të gjitha shteteve të tjera, asnjë shtet nuk është imun karshi këtij krimi por është e rëndësishme përgjigjja jonë që i japim këtij krimi, si ministër kam përcjellë me vëmendje raportet për trafikimin e qenieve njerëzore dhe shpeshherë dënimet për kryesit e këtyre veprave penale janë të ulëta. Fuqizimi i bashkëpunimit juridik ndërkombëtar është më se e nevojshme dhe duhet të jetë prioritet i joni”, tha Tahiri.

Ministri gjithashtu shtoi se çfarëdo kompensimi nga ana e Qeverisë për viktimat e trafikimit me qenie njerëzore është viktimizim i dytë.

“Si ministër kam dhënë zotim se Kosova mund dhe nuk do të jetë pre e këtyre kryesve të krimit. Viktimat e këtyre krimeve nuk mund të kompensohen dhe një kompensim i çfarëdo vlere dhe do të ishte një viktimizim i dytë nga ana jonë”, deklaroi Tahiri.

Sipas hulumtimit të bërë nga BE, gratë dhe fëmijët, veçanërisht ato që vijnë nga zonat rurale dhe më të varfra, identifikohen si më të prekurit nga trafikimi.

Sipas hulumtimeve me organizatat lokale, komunat në shumicën e rrezikut janë Mitrovica, Ferizaj dhe Prishtina.

 

https://kallxo.com/kosova-burim-dhe-destinacion-per-trafikimin-e-qenieve-njerezore/

 

https://kallxo.com/pas-polemikave-thaci-e-haradinaj-koke-me-koke/

www.KALLXO.com