Grey Hotel, Kopaonik- Serbia, Foto: Alex Anderson

Reportazh nga çerdhja e pushtetit brutal të Radoiçiqit

Është natë. Një burrë i plotë e kokërruar, i veshur me një këmishë bardhë e zi, shihet në një video të xhiruar nga mbrapa, në pikëvështrimin e pikturës së artistit romantik gjerman Caspar David Friedrich “Endacaku në detin e mjegullt”, teksa në peizazhin e zbardhur nga bora shpërthejnë fishekzjarret dhe brohoritjet festuese të lëshuara nga një grup i vogël njerëzish që mbajnë një baner me një mbishkrim. Ai shkon drejt tyre me një ecje të rëndë prej burri dhe ndalet për ta tretur atë që shkruan në baner. Me sa duket, baneri i kushtohet vetë atij dhe në të shkruan në serbisht: “Urime ditëlindjen komandant!”.

Piktori romantik Caspar David Friedrich's Endacaku në detin e mjegullt (1818, uikipedia, majtas) dhe fotografia që supozohet të jetë Millan Radoiçiq (X, Nemanja Sharoviq, djathtas), marrin pozë 
Piktori romantik Caspar David Friedrich’s Endacaku në detin e mjegullt (1818, uikipedia, majtas) dhe fotografia që supozohet të jetë Millan Radoiçiq (X, Nemanja Sharoviq, djathtas), marrin pozë

 

Ditëlindja

 Video e ditëlindjes së Millan Radoiçiqit, që qarkulloi në ‘X” (ish-Twitter) më 22.02.2024, e shpërndarë nga Nemanja Sharoviq, politikani opozitar i djathtë, supozohet të jetë xhiruar përballë hotelit ‘Grey’ në Kopaonik, bashkëpronar i të cilit deri së voni ishte Millan Radoiçiq, i forti i veriut, ish-nënkryetari i Listës Serbe të mbështetur nga Aleksandar Vuçiq. Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë për ngjarjet e 24.09.2023 në Banjskë të Zveçanit, ku grupi i tij i armatosur kishte vrarë Afrim Bunjakun, oficerin e Policisë së Kosovës. Në kundërpërgjigjen e Policisë ishin vrarë edhe tre anëtarë të grupit të Radoiçiqit.

Kosova ka lëshuar fletarrestim ndaj tij por Radoiçiq shëtit i lirë nëpër Serbi. 

Presidenti Vuçiq mohoi të ketë qenë në dijeni për aventurën paramilitare të lejtnantit të tij politik por shpalli një ditë zie për luftëtarët e tij të vrarë. 

Një hulumtim i BIRN-it e dëshmoi lidhjen mes armatimit të rëndë që përdori ky grup me fabrikat shtetërore të armatimit në Serbi. 

Pesë javë pas përleshjes, SHBA lëshoi detaje nga shërbimi i saj i inteligjencës që tregojnë për planet e Serbisë për invazion të Kosovës, përderisa në tetor 2023 Britania e Madhe nxitoi ta rrisë numrin e trupave ushtarake që i kishte në KFOR.

Radoiçiq është raportuar se në vitin 2022 posedonte biznese në vlerë 24,5 milionë euro. Pas debaklit në Banjskë, ai demonstrativisht hoqi dorë nga aksionet në të gjitha bizneset në Serbi, përfshirë edhe hotelin ‘Grey’, duke ia dorëzuar, në letër, bashkëpronësinë partnerëve të tij afatgjatë gjithashtu biznesmenë nga veriu i Kosovës, Zvonko dhe Zharko Veselinoviq. Në Kosovë djali i Radoiçiqit e mban kafenenë “Grey” dhe restorantin “Grey” që gjenden në Mitrovicën e Veriut. 

Tri ditë pasi video u shfaq në ‘X’ (ish-Twitter), ne u ngjitëm në Kopaonik për ta ‘shijuar’ një kafe.

‘Shkelja’ e privatësisë së një objekti vesveseli

Është ditë. E diel, 25.02.2024. Kur e përfundojmë kafenë (dhe çajin), nisemi të dalim. Kur del jashtë, Alex e drejton telefonin nga pjesa e prapme e hotelit “Grey”, nga rruga e pjerrët, për ta xhiruar, derisa Jeta ec drejt veturës.

Papritmas, një burrë përballë tij, e çon dorën: “Zabranjeno slikanje hotela” (Ndalohet fotografimi i hotelit). Alex nxjerr nga goja një “uh, më fal” të përciptë dhe ecën drejt Jetës për t’u bashkuar te vetura, e cila qëndron e parkuar nja 100 metra më tej.

Pak minuta më vonë, një burrë tjetër po e përcjell Jetën deri në veturë. Qëndrimi i tij është i akullt, që mishërohet me fasadën e zymtë të ndërtesës së hotelit. Duke e aplikuar rregullën e “marrjes së gjakut”, edhe ai e nxjerr telefonin për të na filmuar, njëherë targat e makinës, e pastaj afrohet të bëjë një xhirim hakmarrës të fytyrës së saj. Kjo thuajse ne ia kemi fotografuar atij hotelin në ndonjë pozicion intim ose duke bërë dush e jo ashtu së jashtmi, të veshur me tulla e perde të lëshuara. Jeta i thotë: “Zdravo” (Tung). Ai nuk ia kthen përshëndetjen. Për më tepër, ai bën një çehre kërcënuese dhe të pandalshme duke na përcjellë dhe filmuar me vendosmëri dhe duke bërë një thirrje në bazë për përforcime, derisa ajo i grah veturës në një rrugë me llapërçinë.

“Ke me pa njerëz që kanë me përcjellë gjithçka dhe ata do të duken saktë ashtu si ti mund ta imagjinosh se si duken njerëzit e shërbimit sekret”- na kishte paralajmëruar një kolege gazetare serbe para nisjes.

“Nëse ju zënë do t’ua marrin telefonat”- na kishte paralajmëruar një tjetër.

Ne e dinim që një pikë kontrolli e Policisë dhe një kabinë pagese e rrugës na priste disa kilometra më tej në rrugën e gjarpëruar nga vendpushimi i Kopaonikut. Si masë preventive filluam t’i fshinim xhirimet e fotografitë nga telefonat derisa rruga na drejtonte kah këto pika.

 

Zona gri

Grey Hotel, Kopaonik- Serbi, Foto: Alex Anderson

Nuk ka nevojë për ndonjë teknikë të sofistikuar gjeolokacioni për t’i përputhur mjediset e hotelit ‘Grey’ me pamjet e shfaqura në videon me urimin: “Urime ditëlindjen komandant!”. Shihen me sy.

Hoteli i Radoiçiqit e ka vendin më të mirë në qendrën e vetme të skijimit në Serbi. Telat e teleferikut që i bartin njerëzit që ngjiten malit kalojnë gati mbi hotelin “Grey”. Edhe pse një ndërtesë e madhe, pamja dhe stili i ndërtimit nuk dallon fort nga hotelet e tjerë në afërsi. Atë ditë që ishim ne, akomodimi nga Booking.com ofronte çmim për jo më pak se 400 euro për një natë për dhomë në hotelin “Grey”. Menyja gjithashtu ka çmime të kripura.

Në mes të turmave që shtyheshin për të zënë ashensorët e skijimit Jeta i pyet disa njerëz nëse kanë parë fishekzjarre kohëve të fundit dhe për çfarë ishte bërë gjithë ai festim. Tre persona e konfirmuan se kishte pasur fishekzjarre në Kopaonik disa ditë më parë.

Dy nga ta thanë se nuk e dinin pse ishin ndezur ato fishekzjarre por nuk e shikonin në sy ndërsa ajo bënte pyetjet. Një i tretë mendon se kishte qenë “një DJ i famshëm për të performuar dhe ato fishekzjarre ishin pjesë e atij programi”.

Duke pirë kafenë dhe çajin brenda hotelit nuk kishim se si të mos i vërenim sa shumë njerëz që silleshin atypari ishin kokërruar dhe tullacë. Automatikisht e gjetëm veten duke provuar t’i përshtasim këta njerëz me ata që shihen në video, ose edhe me fytyrat e njohura të Radoiçiqit dhe vëllezërve Veselinoviq që janë të gjithë tullacë.

Pasuria që ata kanë futur në biznese si hoteli ‘Grey’ rrjedh nga vitet kur e kanë pasur gjithë  kontrollin joformal në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Kjo zonë gri ka qenë strehë për aktivitetet e kriptomonedhave dhe fermave të marihuanës, dhe ka përhapur kontrabandën dhe krimin financiar si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. Përderisa Qeveria serbe e ka shpërblyer Radoiçiqin dhe Veselinoviqin me kontrata për ndërtimin e rrugëve brenda Serbisë, ka pasur edhe liderë politikë të Kosovës që kanë qenë të lidhur me të parin; Radoiçiq dyshohet nga Prokuroria e Kosovës se është përpjekur ta joshë me ryshfet një sinjalizues që denoncoi ndërtimet masive ilegale të vilave në parkun kombëtar në Brezovicë. Ai po ashtu ishte takuar me Ramush Haradinajn për t’i dhënë mbështetje politike për t’u bërë kryeministër në vitin 2017.

Fatkeqësisht, Radoiçiq është përbindëshi ynë i përbashkët: edhe Kosova, edhe Serbia i ndihmuan ta rrisë pushtetin dhe pasurinë 24-milionëshe.

Burimet serbe në veri të Kosovës na kanë thënë që Radoiçiq ka mbjellë frikë të madhe brenda komunitetit. Ata që guxuan të flasin për kontrabandën dhe korrupsionin humbën vendet e punës, u rrahën dhe u burgosën. Radoiçiq është hetuar për dhënien e urdhrit për vrasjen e ish-liderit politik të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq, që ndodhi në janar 2018 në Mitrovicë të Veriut.

Në janar 2024, politikani liberal opozitar në Serbi, Nikolla Sandulloviq, u arrestua dhe u rrah pasi u kthye nga vizita e tij në Kosovë, ku kishte bërë nderime te varri i Blerina Jasharit, vajzës 7-vjeçare e cila ishte vrarë nga forcat serbe në mars të vitit 1998 në Prekaz bashkë me mbi 50 anëtarë të familjes së saj në rezistencën e Jasharëve. Ai kishte thënë se gjatë mbajtjes së tij nga shërbimi sekret serb, BIA, kishte njohur Millan Radoiçiqin, Zvonko Veselinoviqin dhe ish-liderin e Listës Serbe, Goran Rakiq.

Një video e publikuar nga Radiotelevizioni i Kosovës më 27.02.2024 portretizon reputacionin kërcënues të Radoiçiqit. Në këtë video shihet një person, që dyshohet të jetë Radoiçiq, duke e grushtuar dhe përplasur në dysheme një person tjetër në një zyrë të hotelit ‘Grey’, “kohë më parë”. Në video dyshohet të ketë qenë Adis Ladjar nga Novi Pazari, pronar i një kompanie për kontrollë teknike. Aleksandar Spiriq, i cili vite më parë drejtonte komunën paralele të Mitrovicës, të financuar nga Qeveria e Serbisë po ashtu përflitet të jetë rrahur nga Radoiçiqi. Tabloidi proqeveritar serb ‘Informer’ e ka publikuar një përgënjeshtrim nga i pakapshmi Spiriq, duke thënë se ai nuk është personi në këtë video që qarkullonte prej gushtit 2023.

Spiriq, edhepse nuk është personi në video, kishte përfunduar me eshtra të thyer dhe ishte trajtuar në një numër spitalesh. “Radoiçiq gjithmonë është i rrethuar nga njerëz të BIA-s” – thotë burimi ynë. Një nga të cilët mund ta ketë xhiruar këtë video, për ta përdorur në rast nevoje në të ardhmen. “Kjo është mënyra se si vepron shërbimi sekret”.

Pse kjo video doli tani? Pikëpamja e burimit është se rrjedhja e pamjeve të tilla diskredituese të Radoiçiqit krijon hapësirë më të madhe që në ardhmen ai të hiqet qafe. “Radoiçiq është bërë një problem për Vuçiqin. Amerikanët e kanë shtuar presionin që ai të merret me të”. Thuhet se dyert për të po mbyllen, ftesat në ndeja shoqërore po rrallohen. Pra, edhe kjo video e grushtimit që Radoiçiqi i bën një serbi tjetër, është pjesë e kësaj fushate. 

Radoiçiq mund ta gjejë veten duke rrëshqitur në një teposhtë. Trajtimi brutal që kishte pushteti i Serbisë i kishte bërë Oliver Ivanoviqit, i paraprirë nga një fushatë diskreditimi, ironikisht ishte teposhtë që iu përgatit atij nga Radoiçiq dhe Vuçiq. Në muajt para vrasjes së tij, Lista Serbe publikonte spote që e sulmonin kredibilitetin e Ivanoviqit, duke ngritur insinuata se ai ishte tradhtar.

Kokëtimi me gangsterë, i ilustruar nga akuza të reja që zyrtarë të lartë të sigurisë i kanë ndihmuar bosit të drogës, Darko Shariq, gjykimi i Velko Belivuk, dhe nënshtrimi i qartë i organeve të rendit dhe databazave të tyre, gjë që u pasqyrua edhe me regjistrimin masiv të votuesve fantomë gjatë zgjedhjeve parlamentare në Serbi me 17.12.2023, dyshohet të jenë elemente të sistemit të pushtetit të ndërtuar nën presidentin Vuçiq.

 

Teposhta 

Grey Hotel, Kopaonik- Serbi, Foto: Alex Anderson
Grey Hotel, Kopaonik- Serbi, Foto: Alex Anderson

“Keni kujdes. Ky nuk është shtet ligjor”- ishte paralajmërimi nga një koleg gazetar serb. Ne, gabimisht, nuk e morëm edhe aq seriozisht. Në Kopaonik, personat e mrrolur që na ndalonin të fotografojmë në rrugë, duke na frikësuar për ta përshpejtuar largimin dhe shlyerjen e materialeve të marra, e konsideronin veten si ligj dhe kjo ishte e sigurt. 

Hija e hotelit ‘Grey’ mbulonte resortin pushues, duke filluar nga mjediset përreth, përfshirë edhe marrjen e pistës së skijimit për një festë ditëlindjeje deri te hapësira brenda ku, sipas videos, bashkëpronari joformal i këtij hoteli mund ta rrahë me grushte këdo që dëshiron.

Shqetësimi ynë parësor ishte se a ishin këta njerëz vetëm të Radoiçiqit e Veselinoviqit, apo, duke pasur parasysh bashkëpunimin e shtetit me krimin nën Vuçiqin, a kishin ata edhe të drejta që i ka BIA dhe Policia? Tash që po largoheshim, a do të jemi në rregull apo pushteti i tyre do na ndjekë rrugës teposhtë malit që kishim marrë? Deri në kufi? 

Ne erdhëm këtu për të testuar s’e deri ku e kanë kufirin – dhe e gjetëm. 

A ishim duke u përcjellë nga dikush? E paqartë. 

Vazhdonim të udhëtonim tatëpjetë malit por njëkohësisht operonim me telefonë për të shlyer ndonjë gjë që mund të na nxirrte telashe.

Më në fund arritëm te një pikë e Policisë. Fillimisht, polici na bën me shenjë të ndalemi por më pas na thotë të vazhdojmë.

Më pas vjen pika e pagesës te parku kombëtar. Në këtë rast pagesën e kërkonin në dalje, jo në hyrje të parkut. E ndalim veturën pranë një kamere rrugore dhe Jeta del nga vetura për ta bërë pagesën te personi që gjendet në kabinë. Gjithnjë duke shikuar nëse dikush po na përcjellë por nuk vërejmë gjë. Vazhdojmë rrugën.

Jemi në rrugë drejt kufirit me Kosovën. Ende s’kemi hesap të relaksohemi. Hasim një postbllok policor jo të zakonshëm, një qen qëndron i shtrirë në mes të rrugës, mu përpara veturës së Policisë. Vetëm një kombinim i rastësishëm i rrethanave. E tejkalojmë edhe qenin, edhe makinën. Nuk lëviz njeri. 

 Polici i trafikut na ndalon por pas një shikimi rutinor të dokumenteve na jep leje të vazhdojmë rrugën tutje.

Krejt në fund, në pikën e kalimit kufitar. Policët e Serbisë dhe Kosovës rrijnë në kabina që janë jo më larg se 20 metra nga njëra-tjetra. S’ka pengesa. Mbërrijmë të sigurt në shtëpi.

A ndodh që ata mund të na kishin ndaluar por nuk deshën ta bënin këtë? Burimet serbe në veri të Kosovës më thonë se profili ynë mund të ketë qenë i lartë për ta bërë këtë: duke na ndaluar mund të kishin bërë autogol.

Ose ndoshta, tash për tash, pushteti i ‘Grey’ shtrihet vetëm mbi kodrën ku qëndron.

Zymtësia dhe atmosfera e hirtë megjithatë janë një proces që vështirë mund ndalet nëse fillon. Kur fillon atmosfera gri gjërat zakonisht fillojnë ta marrin teposhten./Prishtinainsight.com