Rrëfimet e dëshmitarëve në gjykimin ndaj 8 të akuzuarve për kontrabandim me migrantë

 

Florim Krasniqi dhe 7 të akuzuarit tjerë për falsifikim të dokumenteve me qëllim kontrabandimit me migrantë janë ballafaquar edhe sot me rrëfimet e dëshmitarëve.

Dëshmitarët të cilët u dëgjuan në këtë seancë ishin Fehmi Idrizi, Isuf Morina, Adnan Grajçevci, Idriz Llugaliu, Rexhep Dili, Besnik Ibrahimi dhe Nevzat Provolia.

Dëshmitari Adnan Grajçevci para gjykatës tha se kishte paguar për një patentë shoferi me kategorinë A shumën prej 100 euro një personi të cilin e kishte takuar në treg.

Këtë person Grajçevci tha se nuk e njihte dhe se nuk e dinte se kush e kishte rregulluar atë dokument.

Në vazhdim të seancës u dëgjua edhe dëshmitari Idriz Llugaliu, i cili deklaroi se të akuzuarin Bekim Hasani e njeh pasi që ky i fundit ka shitur cigare.

Ai po ashtu mohoi se ka pranuar ose dërguar Bekimit ndonjë vizë nga Gjermania apo ndonjë shtet tjetër.

Dëshmitari Rexhep Dili tha se qëndron pas deklaratës së dhënë në polici dhe pohoi që i akuzuari Bekim Hasani i kishte ofruar rregullimin e një dokumenti, mirëpo ai tha se nuk ka qenë i interesuar.

Tutje dëshmitari Besnik Ibrahimi tha se sa ka punuar shofer autobusi kishte kërkuar që të i rregullohej një patentë shofer i shtetit të Serbisë.

Këtë patentë shofer tha se ia kishte rregulluar një person, emrin e të cilit nuk e dinte sigurtë.

Ai shtoi se për këtë patentë shofer kishte paguar shumën prej 450 euro.

Së fundmi u dëgjua Nevzat Provolia, i cili tha se kishte shkuar për të marrë dy patentë shoferë për të cilët e kishin porositur dy familjarë të tij.

Këta patentë shoferë ai tha se i kishte marrë nga një person i pa njohur dhe se atij i kishte paguar rreth 1000 euro për secilin.

Prokuroria Speciale në vitin 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj 8 personave për krim të organizuar dhe kontrabandim me migrantë.

Në cilësinë e të akuzuarve sipas Prokurorisë janë Florim dhe Florent Krasniqi, Taulant Bilalli, Sadat dhe Samed Murati, Haki Maloku, Bekim Hasani dhe Izet Koplinger.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të pandehurit e lartcekur akuzohen se që nga viti 2020 deri në vitin 2021 në role të ndara kanë vepruar si grup kriminal me qëllim të kontrabandimit me migrantë.

Pretendimet e Prokurorisë janë se Florent Krasniqi, Haki Maloku, Izet Koplinger, Sadat dhe Samet Murati kanë siguruar persona që kishin për qëllim migrimin në vendet e ndryshme ndërsa në krye të këtij grupi sipas Prokurorisë është Florim Krasniqi, i cili dyshohet se ka krijuar laborator për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.

Tutje në dosje të këtij rasti thuhet se përmes të akuzuarit Hasani madje edhe vetë Florim Krasniqi këto dokumente ua kanë dërguar qytetarëve të ndryshëm përmes postave të shpejta ose vetë personalisht.

Po ashtu Florim Krasniqi dyshohet se ka bashkëpunuar me Taulant Bilallin në atë mënyrë që kanë gjetur shtetas të Kosovës që kanë dashur të migrojnë në vende të ndryshme dhe kanë bërë prodhimin, furnizimin apo sigurimin e dokumenteve të falsifikuara si pasaporta, letërnjoftime, patentë shoferë dhe dokumente të tjera.

Prokuroria akuzon Koplingerin, Malokun dhe Sadat dhe Samed Muratin se në këtë rast kanë pasur rolin e ndërmjetësuesve.

Këtë rol ata akuzohen se e ushtruan duke gjetur persona të interesuar për dokumente të tilla dhe ia kanë marrë të dhënat personale pastaj ato të dhëna ia dërguan Florim dhe Florent Krasniqit.

Po ashtu Florim dhe Florent Krasniqi në lidhje me këtë për 2-3 orë kanë falsifikuar dokumentet dhe i kanë kthyer tek ndërmjetësuesit, të cilat dokumente këta të fundit ua dorëzuan blerësve dhe kanë përfituar shuma të ndryshme parash dhe atë deri në 3.000 euro.

Përveç kësaj Izet Koplinger akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Mbahet seanca ndaj 8 të akuzuarve për falsifikim të dokumenteve me qëllim kontrabandimi me migrantë