Analisti flet për milionat që Kosova humb në zgjatjen e pistës së Aeroportit të Prishtinës

Analisti financiar, Hekuran Murati ka shpalosur analizën e tij mbi kontratën për zgjatjen e pistës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’, që sipas tij është e jashtëligjshme.

Murati tha se kontrata që nuk ishte publikuar për një kohë do t’i kushtojë 84 milionë euro Kosovës  dhe e njëjta është në kundërshtim me Ligjin për Financat Publike dhe Ligjin e Prokurimit Publik.

Ai tha se me këtë kontratë shteti i Kosovës po e ‘subvencionon’, një kompani private siç është Limak-u.

“Me fjalë tjera, kjo do të nënkuptonte që Qeveria po i fal kompanisë Limak 84 milionë euro, para të cilat do të duhej t’i merrte nga taksa e koncesionimit sipas Kontratës për Koncesionim””, tha ai.

“Duhet të fillojnë me u hetu personat që e kanë bërë këtë kontratë”, shtoi Murati.

Zgjatja e pistës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës Kosovës është pjesë e analizës “Shqyrtimi i kontratës për zgjatjen e pistës së Aeroportit “Adem Jashari” me autor Hekuran Muratin.

Në raport thuhet se kostoja e ndërtimit të pistës ishte 34 milionë euro, por Murati duke u thirrur në arsyetimet e Qeverisë për kompensim të kësaj kostoje ka thënë se Kosova në fakt do të humbë edhe 50 milionë euro të tjera.

Në debatin e organizuar mbi këtë çështje  flitet edhe për kontrata tjera që përfunduan me dëme financiare për shtetin e Kosovës.

Pjesëmarrës në debat janë Hekuran Murati, analist financiar, Besnik Bislimi – VV, Profesor në AUK, Eset Berisha – Ministria Infrastrukturës , Haki Abazi – Instituti i demokracive në zhvillim dhe Korab Sejdiu, Deputet.

Emisionin “Jeta në Kosovë”, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: