Ministria e Infrastrukturës: Duhet ta zbatojmë kontratën për zgjatjen e pistës së Aeroportit

Përfaqësuesi i Ministrisë së Infrastrukturës në një debat mbi kontratën për zgjatjen e pistës së Aeroportit të Prishtinës kërkoi që të mos paragjykohet ligjshmëria e kontratës.

Duke komentuar analizën e Hekuran Muratit mbi këtë kontratë, Eset Berisha, këshilltar i lartë në MI, tha se nuk pajtohet me gjetjet sa i përket fajit për ministrin  e tashëm të infrastrukturës Pal Lekaj.

“E përgëzoj për raportin që e ka bërë, e  ka bërë një hulumtim të mirëfilltë. Nuk kisha mujt me u pajtu vetëm me të gjeturat e tij sa i përket fajit të Ministrisë së Infrastrukturës. Ministri Lekaj e ka marrë mandatin me 10 shtator të vitit të kaluar. Kur ne kemi ardhur në kabinet e kemi gjetur një kontratë të nënshkruar, nuk kemi pasur zgjidhje tjetër përveç të zbatojmë kontratën në përpikëri ashtu siç është nënshkruar”, tha Berisha.

Ai shtoi se në fazat e prokurimit të kësaj kontrate ka pasur mbikëqyrje.

“Nëse themi se një kontratë është e paligjshme pa u vërtetuar mirë atëherë vetëm po paragjykojmë’, tha ai.

Emisioni ‘Jeta në Kosovë’ në këtë edicion debatoi mbi gjetjet e analizës së Hekuran Muratit për zgjatjen e pistës së aeroportit që sipas tij po i humb miliona shtetit.

Në debatin e organizuar mbi këtë çështje  flitet edhe për kontrata tjera që përfunduan me dëme financiare për shtetin e Kosovës.

Pjesëmarrës në debat janë Hekuran Murati, analist financiar, Besnik Bislimi – VV, profesor në AUK, Eset Berisha – Ministria Infrastrukturës , Haki Abazi – Instituti i demokracive në zhvillim dhe Korab Sejdiu, Deputet.

Emisionin “Jeta në Kosovë”, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: