Ilustrimi: relocatemagazine.com

Analistët: Zona Schengen do të Mbetet

Schengeni është një fshat i bukur i Luksemburgut i njohur për kultivimin e verës në kufirin e këtij shteti me Gjermaninë e Francën, ndërsa aty në vitin 1985 u nënshkrua marrëveshja për heqjen e kufijve mes disa shteteve evropiane.

Marrëveshjen përveç Francës, Gjermanisë e Luksemburgut atëherë e nënshkruan edhe Holanda, Belgjika, Portugalia e Spanja, ndërsa kësaj marrëveshjeje iu deshëm 10 vjet për të filluar së zbatuari.

Sot kur janë bërë 20 vjet nga lëvizja e lirë evropiane dhe kur Zona Schengen është zgjeruar dhe përbëhet nga 26 shtete, disa nga anëtarët kanë kthyer kufijtë kombëtarë dhe vetë lëvizja e lirë nëpër këtë zonë është vënë në pikëpyetje.

Pas sulmeve terroriste të vitit të kaluar në Paris dhe valës së pandalshme të refugjatëve, aktualisht Gjermania, Franca, Austria, Danimarka, Suedia e Norvegjia kanë kthyer kontrollin kufitar, ndërsa zëra brenda BE-së kërkojnë suspendimin e Zonës Schengen për dy vjet, një gjë që lejohet me marrëveshjen e vitit 1985 nën rrethana të jashtëzakonshme.

Por analistët kosovarë nuk i druhen një suspendimi ose heqjeje të kësaj zone.

Naim Rashiti analist i Grupit të Ballkanit për Hulumtim të Politikave (BPRG), një kufizim të lëvizjes së lirë evropiane e konsideron të pakëndshëm, por nuk parashikon pasoja të mëdha.

“Vendet anëtare [të Zonës Schengen] kanë filluar të kthejnë sovranitetin e tyre ne kufi. Kjo është shumë e pakëndshme dhe së paku do të ketë konsekuenca ekonomike, por nuk mund të thuhet se po e kërcënon ekzistencën e BE-së. Po e kufizon zgjerimin, kjo shumë e saktë, por jo ekzistencën e BE-së,” thotë Rashiti.

Edhe ushtaraku dhe njohësi i çështjeve të sigurisë Naim Maloku nuk parasheh anulim të Zonës Schengen.

“Unë mendoj që Zona Schengen përkundër krejt dilemave që i kanë disa shtete nuk do të hiqet edhe përkundrazi Bashkimi Evropian do të shkojë kah forcimi i lidhjeve të shteteve. Mendoj që rruga e BE-së është nga një model i Shteteve të Bashkuara të Amerikës,” thotë Naim Maloku.

Kosova mund ta fitojë lëvizjen pa viza në këtë zonë, kur ajo po vetëkufizohet.

Pas valës masive të refugjatëve kosovarë drejt vendeve të BE-së vitin e kaluar, krizës së vazhdueshme politike dhe shtimit të radikalizmit, Naim Rashiti lutet që në Kosovë të mos ndodhë edhe ndonjë gjë tjetër e dëmshme, para se qytetarëve të vendit t’u jepet mundësia e lëvizjes së lirë.

“BE-ja po përballet me një situatë të paprecedent të valës së refugjatëve dhe po sillet me trishtim. Kjo na ka dëmtuar dhe po e dëmton edhe më shumë Kosovën. Uroj që të mos ndodhin skandale e kriza tjera derisa liberalizimi i vizave të aprovohet,” thotë Rashiti.

Serbia mes BE-së e Rusisë

Por as Maloku e as Rashiti nuk shohin mundësi që ndonjëri nga vendet kandidate për t’u bërë pjesë e BE-së të devijojë nga rruga evropiane për shkak të fatit të paqartë të Zonës Schengen.

Ata pajtohen që Serbia do të manovrojë vazhdimisht mes BE-së e Rusisë për të përfituar nga të dy palët.

“Serbia po e luan shumë mençur rolin që e ka, pozitën që e ka e ka në mes të Evropës. Krejt rrugët e BE-së janë nëpër Serbi. Në të dy anët me pasë përfitime materiale e politike, edhe nga Rusia, edhe nga BE-ja. Serbia ka me shku kësaj rruge, jo në NATO, por me BE-në, edhe këtë pozitë ka me e majt Serbia një kohë të gjatë,” thotë Naim Maloku.

Ngjashëm mendon edhe Naim Rashiti.

“Serbia ka hapësirë manovruese e taktike, por jo se ka ku mund të shkojë. Megjithatë, këto manovra të Serbisë kanë shqetësuar BE-në e vendet evropiane dhe mu për këtë këto vende kanë vendosur kritere të buta ndaj Serbisë. Por çështja e schengenit nuk ndikon në marrëdhëniet e Serbisë me BE-në. Ata kanë marrëveshje të lëvzisjes së lirë të njerëzve e mallrave e cila po funksionon shumë mirë,” thotë Rashiti.

Kosova e vogël për turbullirat globale

Naim Maloku nuk sheh rrezik për Kosovën edhe nëse Serbia ndërron kursin e saj ndaj BE-së. Për të vetëm përmbysja globale e gjërave mund ta rrezikojë vendin.

“Nuk e besoj që ka ndonjë rrezik nga ndonjë sulm, për pa lëvizë në aspektin global çështjet, pa ndonjë konfrontim global dhe atëherë secili shtet e secili popull me përfitu nga ajo. Me na sulmu Serbia nuk ka ndonjë rrezik. Në Kosovë është prezenca e NATO-s edhe NATO-ja nuk do të tërhiqet nga Kosova pa u siguru se nuk ka rreziqe për integritetin territorial,” thotë Maloku.

Rreziqeve të tilla nuk u beson as Naim Rashiti. Ai thotë se Kosova duhet të merret me problemet e veta.

“Kosova nuk mund të bëjë asgjë në turbullirat globale, e as të ndalë valën e refugjatëve. Kosova ka nevojë të koncentrohet në shtetndërtimin e saj, bërjen e reformave, zhvillimin e konomik, luftën ndaj korupsionit dhe parandalimin e zhvillimit të ekstremizmit në vend. Kjo mjafton për të siguruar heqjen e vizave dhe afrimin e saj me BE-në,” thotë Rashiti.