‘American School of Kosova’ Punoi të Enjten dhe të Premten

Moti i ftohtë ishte arsyetimi i vendimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për ndërprerjen e mësimit në nivel vendi për tre ditët e fundit.

Megjithatë, jo të gjithë shkollat në Kosovë vepruan sipas këtij vendimi.

Një nga shkollat private në Kosovë, American School of Kosova megjithëse ndërpreu mësimin për ditën e mërkurë, këtë nuk e bëri për të enjten dhe të premten me arsyetimin se kushtet e shkollës dhe të transportit i përballonin motit të ftohtë dhe nuk u pa nevoja që të humbet mësimi.

Shanon Ramaka, Drejtore e kësaj shkolle, tregoi për KALLXO.com se për vendimin e tyre për të mbajtur mësim ia kanë arsyetuar me shkrim edhe MASHT-it pas vizitës së një inspektori të arsimit në këtë shkollë.

Në këtë letër drejtuar ministrit renditen arsyet përse kjo shkollë nuk mund t’i humbë këto ditë mësimi për nxënësit për shumë shkaqe, ndër to edhe përgatitja e vazhdueshme e tyre për të vazhduar studimet në universitete të nivelit të lartë.

“Nuk kishte asnjë qëllim si shenjë e mosrespektit të këtij vendimi nga ana jonë. Si udhëheqëse e një shkolle ku përpiqemi të përgatisim studentët për universitete të nivelit të lartë dhe gjithashtu të plotësojmë kërkesat e MASHT-it, këto vendime mund të jenë të vështira dhe të sikletshme për ne.”, thuhet në letër.

Përveç tjerash, shkolla arsyeton edhe me problemet logjistike që mund t’u shkaktohen nxënësve dhe mësimdhënësve të shkollës në rast të humbjes dhe më pas kompensimit të ditëve në fjalë.

“Ndërsa kemi shumë mësues ndërkombëtarë dhe familje që organizojnë udhëtimet e tyre kohë, nuk është e lehtë për ne të ndryshojmë orarin e pushimit të pranverës në mënyrë që të zëvendësojmë mësimin për ditët e shpallura si ditë pushimi”, thuhet në letër.

Letrën e plotë të shkollës drejtuar MASHT-it mund ta lexoni këtu.

http://kallxo.com/nuk-ka-mesim-deri-javen-tjeter/