Greg Delawie - Foto: KALLXO.com

Ambasadori Delawie: Njerëzit që nuk kanë Ide i Kthehen Dhunës

Ambasadori i Amerikës në Kosovë, Greg Delawie  tha se dhuna nuk ka vend në skemën politike të Kosovës, ndërsa hedhjen e gazit lotsjellës tha se po e bëjnë ata që nuk kanë ide dhe kanë bankrotuar.

Këto deklarata, Delawie i bëri pas hedhjes së gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje derisa po iniciohej për votim marrëveshja për demarkacion.

“ Një gjë e tillë nuk do të duhej të ndodhte në Kosovë dhe Kosova është më mirë se kaq. Kjo nuk do të duhej të ndodhte në një shtet europian, hedhja e gazit nuk është europiane”, tha Delawie.

Ambasadori amerikan duke aluduar në deputetët e Vetëvendosjes tha se “njerëzi që nuk kanë fare ide dhe ata që kanë bankrotuar i kthehen dhunës”.

Delawie u bëri thirrje deputetëve të Kuvendit të kthehen për të votuar marrëveshjen për demarkacion mes Kosovës dhe Malit të Zi.

“Do t’i nxisja të gjithë deputetët të kthehen në sallë të Kuvendit dhe do t’i nxisja të votojnë po marrëveshjes së kufirit, do t’i nxisja të thonë po për Europën dhe i nxis të thonë po për përparim të Kosovës”, tha Delawie.

Ai tha se marrëveshja e demarkacionit e ka lidhur Kosovën për një kohë të gjatë dhe tashmë sipas tij është koha që të zgjidhet kjo çështje.