Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti - Foto: KALLXO.com

Albin Kurti: Dita e parë dhe e fundit e intervenimit të NATO-s ishin më të mirat

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka numëruar tri arsyet kryesore se pse NATO filloi sulmin mbi caqet serbe 20 vjet më parë

“20 vjet u mbushën sot nga bombardimet e NATO-s mbi forcat serbe. E treta e vërteta: perëndimi ndërhyri ushtarakisht kundër Jugosllavisë së Tretë e cila ishte bërë tërësisht e Milosheviqit”, ka shkruar Kurti.

Sipas Kurtit, NATO intervenoi sepse Sllobodan Millosheviqi nuk pranoi të nënshkruante dokumentin e Rambujesë, që Kosova mos të bëhej Bosnje dhe që Maqedonia mos të bëhej Kosovë.

Postimi i plotë i liderit të Lëvizjes Vetëvendosje:

20 vjet u mbushën sot nga bombardimet e NATO-s mbi forcat serbe. E treta e vërteta: perëndimi ndërhyri ushtarakisht kundër Jugosllavisë së Tretë e cila ishte bërë tërësisht e Milosheviqit. 

Janë tri arsye kryesore pse NATO hyri në luftë para dy dekadash:

1. Sepse presidenti i Jugosllavisë, Slobodan Milosheviq, nuk pranoi ta nënshkruante dokumentin e Rambujesë (ndonëse ai ishte mjaft i favorshëm për Serbinë). Kjo ishte në kontrast me marrëveshjen e Daytonit e cila e kishte fuqizuar Milosheviqin brenda (si pushtet) e jashtë (si personalitet).

2. Që Kosova të mos bëhej Bosnje. Me Srebrenicën në mendje dhe Reçakun para syve, nuk mund të lejohej përsëritja e gjenocidit në Evropë duke qëndruar duarkryq aleanca më e fuqishme në historinë e njerëzimit. Edhe kredibiliteti global i NATO-s dhe perëndimit ishin në pyetje.

3. Që Maqedonia të mos bëhej Kosovë. Vazhdimi i luftimeve midis UÇK-së dhe forcave serbe nuk do të mund të mbahej për shumë gjatë i lokalizuar në Kosovë. Shqiptarët ishin nën sulm mizor dhe përfshirja e Maqedonisë në luftë e bënte kalimin nga rreziku lokal në paparashikueshmëri rajonale (më së paku).

Dita e parë dhe e fundit e këtij intervenimi 78 ditor ishin më të mirat. Sepse u godit Serbia dhe sepse u dorëzua ajo. Midis këtyre dy çasteve kemi mesatarisht nga 5 masakra në ditë mbi shqiptarët anembanë Kosovës. Në këtë pranverë populli ynë do të përkujtojë mijëra 20 vjetorë, të dhembjes e pikëllimit për humbjet e vuajtjet, të krenarisë e shpresës për vendosmërinë dhe ardhmërinë.