Foto: Ilustrim

I Akuzuari: Nuk e Dija që ISIS është Grup Terrorist

Në Gjykatën Themelore në Gjilan u mbajt seanca fillestare ndaj Mentor Zejnullahut të akuzuarit për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist në tentativë.

Pas leximit të aktit akuzues nga prokurori special Elez Blakaj, i pandehuri në konsultim me avokatin e tij tha se nuk e pranon veprën për të cilën akuzohet.

“Nuk e pranoj që e kam kryer këtë vepër penale dhe nuk e kam ditur që janë grup terrorist,” tha Zejnullahu para gjykatës.

Pas të pandehurit, avokati që është i angazhuar sipas detyrës zyrtare Rrahmon Kastrati edhe pse përkrahu deklarimin e Zejnullahut, nuk e përjashtoi mundësinë se me të mbrojturin e tij të arrijnë marrëveshje me prokurorin për pranim fajësie.

“Klienti im ka këtë qendrim dhe nuk e pranon fajësinë, mirëpo nuk përjashtoj mundësinë që ne do të provojmë të arrijmë marrëveshje me prokurorin para se të mbahet shqyrtimi i dytë,” tha Kastrati.

Gjyqtari Agim Ademi në fund njoftoi palët për të drejtën e tyre për të i paraqitur kundërshtimet në afat ligjor dhe mbylli shqyrtimin fillestar.

Sipas Prokurorisë Speciale, Zejnullahu më 29 gusht të vitit të kaluar ishte nisur drejt Tiranës me qëllimin për të shkuar në Turqi e më pas në Siri për t’iu bashkuar ISIS-it, por udhëtimi i tij kishte përfunduar në Aeroportin “Nënë Tereza” të kryeqytetit shqiptar, pasi ai nuk ishte lejuar të udhëtojë nga Policia e Shqipërisë.

Aktakuza sqaron se në deklarimin e tij në prokurori Zejnullahu kishte thënë se para një viti kishte nisur t’i kryejë ritet fetare së pari në xhaminë e fshatit Tërpezë të Vitisë, e pastaj edhe në atë “El Kudus” të Gjilanit ku ndiqte ligjëratat e imamit të akuzuar për rekrutim në terrorizëm Zeqirja Qazimi.

Në aktakuzë bëhet me dije se Mentor Zejnullahu kishte kontakte edhe me Ridvan e Astrit Haqifin, të cilën derisa ishin në Kosovë i kishin thënë Zejnullahut se jeta në Siri është më e mirë duke e nxitur që të shkojë atje për t’iu hequr fukarallëkut në Kosovë.

Haqifët e kishin udhëzuar Zejnullahun që të nxjerrë biletën për Stamboll dhe pastaj të udhëtojë drejt Gazientepit të Turqisë, ku do të telefononte disa njerëz për ta dërguar në Siri.

Në deklaratën në prokurori Mentor Zejnullahu kishte thënë se kishte tentuar të nisej drejt Stambollit pasi kishte nxjerrë biletën e aeroplanit në Tiranë me vetëm 177 euro, të cilat i kishte marrë borxh.

Ky është rasti i tretë që në Gjykatën Themelore në Gjilan po trajtohen rastet e terrorizmit dhe KALLXO.com ka përcjellë vazhdimisht zhvillimin e seancave.

http://kallxo.com/drejt-sirise-per-heqje-te-fukarallekut/

http://kallxo.com/aktakuze-e-re-per-luften-ne-siri/

http://kallxo.com/tre-vjet-burg-per-pjesetarin-e-isis-it/