Gjykata në Skenderaj. Foto: Gjykata Themelore në Mitrovicë (web)

Aktakuzë për mashtrim me veteranë në Skenderaj

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë për mashtrim dhe falsifikim të dokumenteve në rastin e veteranëve të rrejshëm kundër të pandehurve M.I, F.H, H.F dhe B.H.

Aktakuza është deponuar në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, dega në Skenderaj.

Prokuroria njofton se të pandehurit, në fillim të vitit 2018 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kanë paraqitur fakte të rreme duke lëshuar certifikata dhe vërtetime të veteranëve të luftës.

Sipas prokurorisë ata kanë përpiluar dokumentacionin-certifikatat dhe vërtetime të veteranëve në emër të këtyre personave me qëllim të shfrytëzimit të këtyre dokumenteve si origjinale duke i dëmtuar kështu 60 persona, dhe duke përfituar për vete deri në 2500 euro.

Prokurori i Shtetit, i ka propozuar Gjykatës, që të njëjtit t’i shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe ti dënojë sipas ligjit.