Foto-ilustrim

Aktakuzë Kundër Zyrtarit të Komunës së Suharekës

Prokuroria Themelore në Prizren njofton se ka ngritur aktakuzë kundër Sh.B., zyrtar në Komunën e Suharekës.

Sipas aktakuzës, Sh.B. në periudhën kohore 2014-2015 dhe 2015-2016, në Suharekë, në cilësinë e personit zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që t’u mundësojë përfitim personave të tjerë, duke i punësuar disa persona pa i respektuar kriteret ligjore.

Në veprimet e Sh.B. sipas aktakuzës manifestohen  elementet e veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2 nën paragrafin 2.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprës penale cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë nga neni 222 paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.