Foto-ilustrim

Aktakuzë Kundër një të Dyshuare për Narkotik

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarës A.Sh., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, e pandehura A.Sh. me datë 17 janar 2017, në pikën kufitare të Vërmicës, është gjetur se pa autorizim ka transportuar me qëllim të shitjes apo të shpërndarjes substanca psikotrope të llojit  marihuanë,  të cilat me ligj janë shpallur si narkotik.

Po ashtu, Prokuroria njofton se pas ndalimit të të akuzuarës në pikën kufitare të Vërmicës, në hyrje nga Shqipëria për në Kosovë, dhe pas kontrollimit të detajuar i është gjetur një qese e madhe prej letre, pronë e të akuzuarës, e cila në brendi kishte dy paketime me lëndë psikotrope të llojit marihuanë me një peshë prej 1.152,91 gramë dhe 860.34 gramë, si dhe një qese e vogël me peshë 3.32 gramë, me peshë të përgjithshme prej 2.016,57 gramë.

Pas ekzaminimit në laborator të mostrave të këtyre sasive të gjetura tek e akuzuara, është vërtetuar se lëndët narkotike janë të llojit kanabis (marihuanë).

Me këto veprime e akuzuara A.Sh. ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni  273 paragrafi 2 të Kodit Penal të Kosovës, për të cilën vepër parashihet dënimi deri në 12 vjet burg.