ILUSTRIM: Substanca narkotike e llojit marihuanë, Foto: Policia e Kosovës

U kontrolluan për narkotik nga Policia, njëri nga të dyshuarit rezulton i kërkuar nga gjykata

U kontrolluan për narkotik nga Policia, njëri nga të dyshuarit rezulton i kërkuar nga gjykata

Një kontroll për narkotikë në një veturë në Prishtinë rezultoi me disa veprime hetimore të tjera, duke u iniciuar një rast i posedimit të narkotikëve e duke dërguar njërin nga dy të dyshuarit në vuajtje të dënimit.

Dy persona u arrestuan pasi gjatë kontrollit të veturës, Policia e Kosovës gjeti 14 qese të vogla të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë rreth 14.8 gram.

Ngjarja ndodhi në rrugën ‘Batalioni Atlantiku’ në Prishtinë më 04.04.2024, rreth orës në 21 e 20.

Policia më pas në konsultim me prokurorin kreu bastisje edhe në banesën e njërit prej të dyshuarve.

“Gjatë bastisjes janë gjetur dhe konfiskuar dy pako me foli të mbushur me substancë të dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë rreth 55.5 gram” – thuhet në raportin 24-orësh policor.

Gjithashtu është njoftuar se me vendim të prokurorit pas intervistimit njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje, ndërsa tjetri gjatë verifikimit ka rezultuar i kërkuar nga gjykata dhe i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit.