Kokaina e sekuestruar në aksionin e Policisë kundër narkotikëve. Foto: Policia e Kosovës

Aksionet antidrogë - Policia jep detaje për kokainën, kanabisin e paratë e sekuestruara - FOTO

Policia e Kosovës në dy raste të ndara gjatë ditës së djeshme, më 28.03.2024, ka kryer kontrolle dhe ka arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në vepra penale të narkotikëve.

Sipas njoftimit të Policisë (29.03.2024) aksionet janë zhvilluar në dy raste të ndara, në tre rajone të ndryshme dhe janë sekuestruar lëndë narkotike të dyshuara për kokainë dhe marihuanë.

Operacioni i parë policor është zhvilluar në rajonin e Prizrenit dhe Gjakovës, dhe si rezultat i hetimeve disamujore bazuar edhe në urdhëresën me shkrim për kontrolle të lëshuar nga gjykata kompetente është realizuar kontrollë në pronat e tre të dyshuarve.

Operacioni është zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë me njësitë e saj vartëse në Prizren dhe Gjakovë, si dhe në asistencë të Njësisë së Reagimit të Shpejtë dhe Forenzikës Kriminalistike.

PK ka thënë se si prova materiale gjatë këtij operacioni janë sekuestruar disa qese plastike me substancë narkotike të dyshuar të llojit kokainë, me peshë të përgjithshme 487.96 gram dhe një qese plastike me substancë të dyshuar narkotike e llojit Marihuanë me peshë 0.95 gram.

Po ashtu Policia ka thënë se në këtë rast është sekuestruar edhe një armë zjarri me 49 fishekë si dhe një veturë me targa vendore.

Në vazhdën e veprimeve, Policia arriti të siguroj si provë materiale edhe dy peshore elektronike, tre foli plastike, një role alumini, dy shirita ngjitës – izolir dhe tre telefona mobil.

PK njoftoi se lidhur me rastin njëri nga të dyshuarit ndodhet në arrati teksa dy nga të dyshuarit tjerë janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës dhe pas intervistimit me vendim mbi ndalim nga prokurori i shtetit janë ndaluar për 48 orë.

Operacioni i dytë më pas është zhvilluar në rajonin e Pejës, dhe njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotik pas një pune operativo-hetimore në teren, më datë 28.03.2024 ka ndaluar të dyshuarin me veturë me targa vendore.

PK ka thënë se ndaj të dyshuarit është kryer një kontroll rutinë me ç‘rast në një pako cigaresh i janë gjetur 3 joint, cigare e mbështjella me marihuanë në peshë prej 2.3 gramësh.

Policia njoftoi se në konsultim me prokurorin është kontrolluar edhe banesa e të dyshuarit të lartcekur në prani të avokatit të tij, gjatë kontrollit në banesë i janë gjetur një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë në peshë prej 28.01 gram e të holla në vlerë 34,752 euro.

Në njoftim, PK gjithashtu ka thënë se është gjetur një grinder për përgatitje apo bluarje të mariahunës, 16 fara të llojit Kanabis Sativa, dy gota qelqi me një sasi lëngu që dyshohet të jetë i llojit Kanabis Sativa me peshë rreth 50ml secila prej tyre dhe 9 vazo të vogla të dyshuara si të mbjella me fara të Kanabis Sativa.

Policia ka thënë se lidhur me rastin i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit kujdestar është lëshuar vendim mbi ndalimin në afat prej 48 orësh.

Kokaina e sekuestruar në aksionin e Policisë kundër narkotikëve. Foto: Policia e Kosovës
Kokaina e sekuestruar në aksionin e Policisë kundër narkotikëve. Foto: Policia e Kosovës
Kokaina e sekuestruar në aksionin e Policisë kundër narkotikëve. Foto: Policia e Kosovës

Aksion kundër narkotikëve në Prizren, dy të arrestuar dhe një në arrati