Nënshkrimi i kredisë për ujërat e zeza | Foto: KALLXO.com

Ahmeti Mungon në Nënshkrimin e Marrëveshjes për Ujëra të Zeza

Shpend Ahmeti, kryetari i Prishtinës nuk ishte i pranishëm sot kur ministri i Financave Avdullah Hoti bashkë me ambasadorin e Francës në Kosovë Didier Chabert nënshkruan marrëveshje në vlerën e 66 milionë eurove për trajtimin e ujërave të zeza në komunat e Prishtinës, Fushë-Kosovës dhe Obiliqit.

Ndryshe nga Ahmeti, në ceremoni nuk munguan kryetarët e Obiliqit dhe Fushë-Kosovës Xhafer Gashi e Burim Berisha.

Zyrtarë të Komunës së Prishtinës mospraninë e Ahmetit e arsyetuan me agjendën e tij të ngjeshur sot.

“Kryetari Ahmeti e ka pasur ditën shumë të ngarkuar sot dhe nuk ka arritur që të marrë pjesë edhe atje. Kjo është e tëra,” tha për KALLXO.com Adonis Tahiri, zyrtari për informim në Komunën e Prishtinës.

Ministri Hoti tha se marrëveshja e nënshkruar sot do të rrisë standardin e jetës së qytetarëve si dhe do të kontribuojë në mbrojtjen e ambientit, pasi sipas tij rajoni i Prishtinës është më i populluari në Kosovë.

Hoti kushtet e kredisë franceze i konsideroi shumë të volitshme.

“Është një marrëveshje që kap vlerën e 66 milionë eurove me kushte shumë të mira financiare, me një normë shumë simbolike interesi prej 0.03-6% me një greis periudhë prej 5 vjetëve dhe me afat kthimi prej 25 vjetësh,” tha Hoti.

Ai bëri të ditur se projekti do të trajtojë ujërat e zeza të një popullsie prej 500 mijë banorësh.

 

Ambasadori francez në Kosovë Didier Chabert tha se nënshkrimi i marrëveshjes dëshmon miqësinë francezo-kosovare dhe i jep mbështetje integrimit evropian të shtetit kosovar.

“Kjo dëshmon për miqësinë për angazhimin e Francës si një vend mik që e mbështet Kosovën. Është një projekt që ka filluar në qershor të vitit 2016 në një samit që ka dhënë një mesazh për mbështetjen dhe integrimin  e Ballkanit Perëndimor në Evropë dhe të Kosovës në veçanti drejt Bashkimit Evropian dhe kuptohet se është një rrugëtim që duhet bërë,” tha Chabert.

Ndërsa ministri Avdullah Hoti tha se çdo cent i dhënë për këtë kredi do t’u kthehet më shumë se dyfish qytetarëve.

Redaktoi: Bekim Muhaxheri