Ahmet Isufi: Ligji për Demarkacionin Duhet të Kthehet Ashtu Siç ka Qenë

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, insistoi sot se pikat e ligjit kanë ndryshuar gjatë rrugës ndërsa kërkoi kthimin e tyre në renditje “sipas marrëveshjes së arritur”.

“Marrëveshja në parim është ajo që është prezantuar në fillim nga Kryeministri (Ramush Haradinaj) ndërsa më vonë është ndryshuar nga LDK. Ka të bëjë me renditjen e pikave që kanë të bëjnë me demarkacionin”, tha sot Isufi.

“Pika e parë është marrëveshja e vitit 2015, e dyta është komisioni qeveritar ndërsa e treta është marrëveshja e presidentëve… Simbolikat kanë rëndësi nganjëherë prandaj gjërat duhet të kthehen ashtu siç kanë qenë”, shtoi ai.

LDK dhe AAK prej mbrëmë janë në një polemikë të vazhdueshme rreth dyshimeve të kësaj të fundit për ndryshim të përmbajtjes së projektligjit për demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi.

Akuzat e AAK-së për ndryshim të përmbajtjes së projektligjit janë mohuar nga LDK.

http://kallxo.com/vjosa-osmani-aak-se-ne-punojme-me-dokumente/