Dera e Hotelit "Victory" | Foto: KALLXO.com

Abelard Tahiri flet për nënshkrimin e tij në kontratën me uzurpatorin

Një darkë e shtruar nga Zyra e Kryeministrit për 36 persona në qershor të vitit 2011 i ka kushtuar plot 648 euro qeverisë së atëhershme asaj të Thaçit.

Ajo çka e bënë të veçantë këtë darkë ishte se po mbahej në një hotel që zhvillonte veprimtarinë në një objekt të uzurpuar.

Hotel “Victory”, në pronësi të ish-deputetit të PDK-së, Bedri Selmanaj, nga Agjencia Kosovare e Privatizimit është konsideruar si objekt i uzurpuar.

Një nga kontratat e siguruara nga BIRN në kuadër të dosjes “Sahanshefi”, është e datës 26 qershor 2011, kur “Victory” konsiderohej objekt i uzurpuar. Kontratat është nënshkruar nga Abelard Tahiri që e përfaqësonte ZKM-në.

KALLXO.com ka kërkuar nga ana e ish- përfaqësuesit të qeverisë tani Ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, sqarim se pse Qeveria Thaçi kishte nënshkruar kontratë me një hotel që po konsiderohet si objekt i uzurpuar.

Ministri Tahiri, ka thënë se vetëm i janë përmbajtur obligimit ligjor dhe institucional dhe kanë kontraktuar një biznes i cili ka qenë i licensuar nga organet e republikës së Kosovës.

“Në raport me pyetjen e shtruar nga ana juaj më lejoni që t’ju informoj se në kuadër të doktrinës institucionale që e kemi zbatuar çdo ditë, i jemi përmbajtur në përpikëri secilit obligim ligjor dhe institucional, përfshirë edhe kontraktimit të shërbimeve . Në këtë kuadër, në rastin që i referoheni, shërbimet janë kontraktuar me një biznes i cili ka qenë i licencuar nga organet e Republikës së Kosovës  për të ushtruar veprimtarinë dhe për të ofruar shërbimet për të cilat është kontraktuar”, ka thënë Tahiri.

Ai shtoi se për biznesin i cili ishte duke operuar në një objekt të uzurpuar, duhet marrin përgjegjësi pronari i objektit, duke shtuar marrëdhëniet kontraktuale ndërmjet ofruesit të shërbimeve hoteliere dhe pronarit apo administruesit të paluajtshmërisë janë raporte ndërmjet palëve të treta, ku Zyra e Kryeministrisë nuk është palë dhe nuk i rregullon.

Hotel “Victory” sipas të përgjigjes nga Agjencia Kosovare e Privatizimit ka qenë i shfrytëzuar dhe uzurpuar nga viti 1999 deri në qershor 2016, kur është liruar me asistencën e Policisë së Kosovës.

Objekti i ish-hotelit “Victory” tashmë shërben si stacion policor.

“Periudha gjatë së cilës ky objekt ka qenë i shfrytëzuar dhe uzurpuar është 1999 – qershor 2016”, thuhet në përgjigjen e AKP-së për KALLXO.com.

Po sipas përgjigjes së AKP-së, hotel “Victory” ushtronte aktivitetin e vet në ndërtesën administrative në pronësi të Ndërmarrjes Shoqërore “Auto Prishtina”, e cila administrohej nga AKP-ja.

Hoteli “Victory” është pronë e biznesmenit Bedri Selmani. Për shumë vjet ai ka qenë pjesë e strukturave të PDK-së, ndërsa për një mandat ka qenë edhe deputet i kësaj partie në Kuvendin e Kosovës.