Tahiri (PDK): S’e di me apo pa qëllim por gjithçka po shkon në favor të Serbisë

Kryeministri Albin Kurti është kritikuar nga shefi i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, që nuk ka marrë pjesë fizikisht në Samitin BE-Ballkani Perëndimor të mbajtur më 29.02.2024 në Tiranë.

“Vetëpërjashtimi i Kosovës nga një organizim i tillë është i dëmshëm për agjendën tonë evropiane”, ka deklaruar Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, më 01.03.2024.

Sipas tij, Republika e Serbisë qe 16 vjet e kundërshton prezencën e Kosovës si shtet i barabartë me shtetet e rajonit, ndërsa Kosova vjen në ditën që kryeministri e përjashton veten nga pjesëmarrja në këto forume.

“Pra sot Serbia nuk ka nevojë që të angazhohet që Kosova të mos jetë e barabartë me shtetet e rajonit, sepse është vetë kryeministri i cili e përjashton Kosovën nga këta mekanizma”, ka thënë Tahiri.

Duke folur edhe rreth çështjes së dinarit, Tahiri tha se me veprimet që po bëhen në Kosovë, me apo pa qëllim, gjithçka po shkon në favor të Serbisë.

“Unë nuk po e kuptoj kryeministrin Kurti. Kjo është çështje që duhet të trajtohej vet nga institucionet tona në partneritet me SHBA-në”, ka theksuar Tahiri.

Ndërkohë, ai bëri të ditur se të enjten e javës së ardhshme në rend dite të seancës do të jetë edhe themelimi i Komisionit Hetimor për rastin Dehari.