Deputeti Lumir Abdixhiku - Foto: LDK

Abdixhiku: Serbia për dialog po angazhon ekspertët më të fortë, Kosova nipa, dajë e tezak

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas raporteve se në Ekipin Negociator të Kosovës për dialogun me Serbinë po tentohet që të futen familjarë e drejtuesve të këtij Ekipi.

Sipas Abdixhikut, ndërkohë që Serbia ka angazhuar ekspertët më të mirë vendorë që ka, e madje edhe ndërkombëtarë, Kosova po synon të angazhojë “nipa, dajë e tezak”.

“Serbia, në dialog me Kosovën, ka angazhuar ekspertët më të mirë vendorë që ka. Ka angazhuar dhe këshilltarë ndërkombëtarë me plot nam. Kosova ndërsa, “ekipi negociator” i saj, ka vendosur që në përballjen më të rëndësishme historike që ka, të angazhojë nipa, dajë e tezak. Për një vend pune për familjarë, marrin në qafë një vend të tanë”, ka shkruar Abdixhiku në rrjetin social ‘Facebook’.

Deputeti tutje ka pyetur se pse të habitemi se Serbia ecën përpara në Europë e Kosova mbetet në “llumin e theqafjes së kapësve tonë”.

Ky reagim vjen pasi që në media u raportua se bashkudhëheqësi i Ekipit Negociator, Fatmir Limaj, ka propozuar që të punësohet në Zyrën e Koordinatorit Administrativ, pranë këtij Ekipi, djali i motrës së tij, Endrit Zabërgja.

Partia e Limajt, Nisma Socialdemokrate është kritikuar vazhdimisht për punësimet partiake dhe ato familjare nëpër institucionet.

KALLXO.com kishte raportuar se Veron Selmani, burri i vajzës së Fatmir Limajt, është punësuar në Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, e cila udhëhiqet nga NISMA.

Dyshime për kurdisje, MTI-ja punëson kunatën e këshilltares së Fatmir Limajt

www.kallxo.com