24 Mijë Euro për Festën e Komunitetit Turk

Qeveria e Kosovës ka vendosur të ndajë mjete në vlerë prej 24 mijë euro për shënimin 23 prillit, festës memoriale të komunitetit turk të vendit.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, tha se mjetet janë paraparë të ndahen nga buxheti i Zyrës për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit dhe të barten në xhirollogarinë e këshillit organizativ.

Sipas tij, Qeveria turke është zotuar se do të mbulojë 70 për qind të shpenzimeve për shënimin e kësaj feste.

“Kërkesa është parashtruar nga Këshilli Organizativ për festën memoriale për përkrahje financiare në vlerë 24 mijë euro për festimin e 23 prillit – ditës së komunitetit turk në Kosovë”, ka thënë Yagcilar.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, tha se do të duhej të bëhet një buxhet i veçantë për festat pasi këto janë të përvitshme.

“Mendoj se duhet ta kemi një buxhet të veçantë për çdo vit se këto festat janë të përvitshme që nga pavarësia. Besoj që në Zyrën e Kryeministrit ose në Ministrinë e Financave ta kemi një buxhet dhe mos të kemi nevojë t’i ndajmë një nga një”, tha Kuçi.

Me Kuçin janë dakorduar kryeministri Isa Mustafa dhe ministri Yagcilar.

Yagcilar tha se ky ka qenë propozim në Ligjin për Festa Zyrtare, ndërsa edhe kryeministri tha se duhet të kenë një fond të veçantë edhe paraprakisht të planifikuar për gjitha komunitetet.