Kishnice - asgjesimi i lodrave

22 mijë euro nga buxheti i shtetit janë shpenzuar në analizat për lodrat e asgjësuara

 

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Fatmir Matoshi dhe zyrtarë nga Inspektorati i Tregut, kanë përcjellë nga afër asgjësimin e lodrave të dëmshme për shëndetin e fëmijëve, që u realizua në Kishnicë të Graçanicës.

Ministri i MTI-së, Endrit Shala tha se në Kosovë është konfiskuar një sasi prej 17 mijë lodrash që pas analizave kanë rezultuar se janë të rrezikshme për shëndetin.

“Pas kësaj mase janë ndaluar edhe 17 importe të tjera në doganë. Dhe sot nga ana e Inspektoratit dhe Doganës është ndaluar edhe një sasi tjetër e cila ka tentuar të importohet në doganë“, tha ministri.

Ministri Shala shtoi se Inspektorati i Tregut është çdo ditë në kontroll të produkteve.

“Kam kërkuar të intensifikohen inspektimet dhe kjo nuk nënkupton vetëm lodrat por të gjitha produktet e tjera të cilat janë duke u shitur në Kosovë”, tha ai, duke theksuar se Kosova ka shpenzuar rreth 22 mijë euro për analizën e cilësisë së lodrave.

Ndërsa, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi tha se do t’i ofrojnë mbështetje MTI-së, për secilin produkt që konsiderohet i dëmshëm për shëndetin.

“Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e ka mbështetur Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ka pajisur me lejet e nevojshme për asgjësimin e këtyre lodrave të rrezikshme, të njëjtën gjë do ta bëjmë edhe në të ardhshme dhe jo vetëm për lodrat por secilin produkt që vlerësohet se është i dëmshëm. Shëndeti i fëmijëve është mbi të gjitha”, tha ministri Matoshi.

LINKU i transmetimit

 

https://kallxo.com/inspektorati-i-mti-se-sot-asgjeson-15-mije-lodra-te-demshme/?fbclid=IwAR3-doYP6xX3-huiIKVa-npoq5Zw0HkqPSbEWeekdGcu31sIibZypCMlVU8

 

www.KALLXO.com