Gjykata e Apelit - Foto: KALLXO.com

18 Muaj Burg Efektiv për Kryeinfermieren

E.R.S., kryeinfermiere në një repart të QKUK-së, do të vuajë 18 muaj burg efektiv pasi një kolegj i gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, sipas të cilit ajo ishte dënuar me 1 vit burg me kusht.

“Kolegji i Apelit gjatë shqyrtimit të ankesës së Prokurorisë lidhur me vendimin e Gjykatës Themelore gjeti se gjykata e shkallës së parë me rastin e shqiptimit të dënimit nuk ka vlerësuar mirë rrethanat si pesha e veprës, rrezikshmëria dhe mënyra e kryerjes së veprës penale”, thuhet në njoftimin e Apelit.

E.R.S. është gjetur fajtore për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ajo akuzohej se duke qenë kryeinfermiere në një repart të QKUK-së ka marrë albumina pa përshkrimin e terapisë nga mjekët, ka ndërhyrë në historinë e pacientëve, duke shënuar se të njëjtit i kanë marrë albuminat, duke shënuar inicialet e infermiereve të cilat fare nuk kanë qenë në ndërrim dhe kështu drejtpërdrejt ka rrezikuar shëndetin e pacientëve.

Sipas Prokurorisë, e akuzuara kështu ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës – Ministrisë së Shëndetësisë në vlerë rreth 28 mijë euro.