Inspektorati i Punës gjen shkelje të të drejtave të punëtorëve në një biznes në rajonin e Mitrovicës

Qytetarët kanë denoncuar në KALLXO.com një rast të shkeljes së të drejtave të punëtorëve në një biznes në rajonin e Mitrovicës.

Inspektorati i Punës ka dalë në vendin e ngjarjes për të verifikuar pretendimet e ankuesve.

Vehbi Malaj nga Inspektorati i Punës në rajonin e Mitrovicës ka thënë se i kanë pranuar dy ankesa lidhur me shkeljen e të drejtave të punëtorëve në një subjekt juridik.

“Moslidhje e kontratave të punës, mospagesa e Trustit Pensional, vendimet e pushimeve vjetore, puna shtesë jashtë orarit të rregullt të punës… Këto janë pretendimet për çka po dalim në inspektim” – tha Malaj.

Inspektorët kërkojnë të dhëna nga punëtorët dhe dokumentacionin e tyre.

Pas kësaj ata vërejnë se punishtja nuk ka shenja sinjalizuese, të cilat në rast rreziku do të orientonin punëtorët për dalje nga objekti dhe daljet emergjente.

Ky subjekt juridik është obliguar nga inspektorët që brenda 5 ditëve t’i dërgojë në Inspektorat dëshmitë e pushimeve vjetore, të bëjë vlerësimin e rrezikshmërisë në punë, t’i dërgojë evidencat e hyrjeve dhe daljeve të punëtorëve, t’i dëshmojë pagesat e orëve shtesë etj.

Pas përfundimit të inspektimit, inspektorët kanë konstatuar disa shkelje të të drejtave të punës.

“Për këtë inspektim kemi hartuar raportin zyrtar dhe kemi konstatuar shkeljet e pretenduara dhe për do të merren masa sa i përket marrëdhënies së punës dhe sigurisë në punë. Do të hartojmë një raport zyrtar të inspektimit dhe do të merren masa” – tha Vehbi Malaj nga Inspektorati i Punës në rajonin e Mitrovicës.